Antoni Urso: Esat Ademi, një menaxher i shkëlqyer i sportit
Asambleja vjetore e Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes dhe drejtuesit e Federatës Evropiane të Peshëngritjes i kanë dhënë mbështetjen e tyre kandidaturës së Esat Ademit për kreun e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. Në një intervistë për Televizionin Shqiptar, kreu i Peshëngritjes Evropiane (EWF), Antonio Urso, ka vlerësuar arritjet dhe sukseset e peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Kupa Mesdhetare e Peshëngritjes, e cila u zhvillua në Antalia të Turqisë, u parapri nga asambleja vjetore e Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes. Në këtë asamble ka marrë pjesë edhe kreu i peshëngritjes evropiane, Dr. Antonio Urso, si dhe sekretari i përgjithshëm i saj, Marino Erkoliani Kasadei. Në një intervistë për Televizionin Shqiptar, Urso ka vlerësuar kandidaturën e Esat Ademit për kreun e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar. “Ne si bashkësi ndërkombëtare e peshëngritjes u gëzuam kur mësuam se z. Ademi ka shpallur kandidaturën e tij për president të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, - u shpreh kreu i peshëngritjes evropiane. - Kjo për arsyen e thjeshtë se, duke pasur parasysh atë që Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka arritur nën drejtimin e tij këto 8 vitet e fundit, ne kemi besim se z. Ademi do të përçojë të njëjtën frymë suksesi edhe në punën e tij me KOKSH-in”. Më tej, presidenti i EWF-së ka theksuar: “Vetë fakti që peshëngritja është padyshim sporti më cilësor në Shqipëri, përsa i përket arritjeve e sukseseve në arenën ndërkombëtare, flet më shumë se gjithçka që ne mund të themi. Organizimi i një niveli të shkëlqyer i një veprimtarie të rëndësishme, siç ishte Kampionati Evropian i Peshëngritjes për të rinj e të reja në Durrës, ishte një tjetër provë e prekshme, realizuar nga z. Ademi si president i peshëngritjes shqiptare”. Kreu i peshëngritjes evropiane e ka cilësuar z. Ademin si një njeri me vizion, çka do t’i shërbente edhe më shumë sportit shqiptar. “Në takimin tonë dhe të sekretarit të Komitetit Olimpik Evropian, me Kryeministrin e Shqipërisë, z. Sali Berisha, z. Ademi shpalosi një projekt mjaft ambicioz për ngritjen e një qendre të madhe sportive në zonën e Shkodrës, një qendre të denjë për të përballuar nevojat e të gjithë rajonit të Ballkanit”.