E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat, reflektim mbi të sotshmen dhe të djeshmen

 

Lakmi që çon në humbje, dashuri të zbërdhylura, realitete të shëmtuara dhe histori që të kthejnë pas në kohë. Dje në Kinema Millennium u shfaqën premierat e katër filmave, dy të animuar e dy me metrazh të shkurtër, prodhime të shtëpisë filmime “Maku production”. Atmosfera u ngroh me dy filmat e animuar, dy abstragime mbi realitetin, “Lakmia”, mbi makutërinë dhe “Një natë”  për humbjen e kuptimit të dashurisë, nën trysninë e konsumimit të përditshëm. Ky i fundit mësohet të jetë pranuar në  konkurrim në një festival që zhvillohet në Belgjikë. Pas një prezantimi të bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Mira” një film me regji dhe skenar të Dhimitër Ismajlajt u shfaq edhe për publikun shqiptar. Nën lojën e Rozana radit në rolin e Mirës, Ilir Gjinit në rolin e Turit, Neritan Liçajt në rolin e tutorit, etj, u propozua një temë, jo më e re. Një femër, bashkëshortja e një burri të sëmurë, nëna e një fëmije të vogël, detyrohet të prostituojë për të siguruar paratë e operacionit të të shoqit. Ndërsa Eno Milkani me “Shenjtoren” e “huazuar” nga një tregim i Teodor kekos, na kthen pas në vitet ’80. në kohën e luftës së klasave, së pantallonave terital, turneve të natës dhe bar-bufeve, ku në vitrinë rradhiteshin kuleçët 5-lekësh. Në qendër të filmit janë Gjinovefa, interpretuar nga Jonida Vokshi dhe Goni nga Amos Zaharia, dy të rinj, që dashurohen në frontin e punës, në vendin e riedukimit. Ajo sepse mbante një kryq, ai sepse akuzohej sepse kishte grisur portretin e diktatorit. Regjisori nuk i lë asgjë mangut dekorit. Ai e vendos mirë gjithçka në vitet ’80. Që nga veshjet e aktorëve, ambientet përreth, parrullat, mobilimi i shtëpive, gjithçka është pasqyrë e asaj kohe. (Se mund të ndodhë që për shkak të ndonjë makine tip i fundit, apo veshje të modës, të mos marrësh vesh se kur zhvillohen ngjarjet). Loja e sinqertë e aktorëve, deri në naivitet shpesh të bën të vësh buzën në gaz (sidomos të rinjtë që nuk dinë asgjë për vitet e diktaturës), por kohët të tilla ishin atëherë... Të katër filmat janë përfshireë në edicionin e ri të Tirana International Film Festival.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›