E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rekomandimet e BE-së, Bregu fajëson opozitën

TIRANË- Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, ka raportuar dje në Komisionin Parlamentar për Integrimin, se cili do të jetë qëndrimi i palës shqiptare në Këshillin e Stabilizim Asociimit, që do të mbahet të martën në Bruksel. “Unë e kam thënë edhe herë tjetër dhe e përsëris. Dialogu jo me kot quhet dialog politik. Përndryshe do të quhej monolog politik. Por dialogu funksionon kur palët janë të prirura për ta zhvilluar këtë dialog. E përsëris edhe një herë, që këtu opozitës nuk i ka munguar asnjë shans për dialog. Jo! Opozita ka mandate për t'i ekzekutuar dhe për të funksionuar brenda parlamentit. Pra është një institucion më vete, por opozita ka zgjedhur qasjen më të gabuar kundër integrimit të vendit në BE me një vizion cung, afatshkurtër, duke shpresuar se bllokimi i parlamentit, bllokimi i dialogut politik, mosdhënia e konsensusit për ligje të veçanta, si dhe mospjesëmarrja në zbatimin e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian mund ta sjellë më shpejt opozitën në pushtet”, - tha ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Sipas saj, me gjithë bllokimin e dialogut politik, Shqipëria nuk ka bërë regres në asnjë nga fushat ku qeveria ka marrë përsipër detyrimet e saj, si dhe ka zbatuar të gjithë afatet kohore të paraqitura në Bruksel.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›