E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Reforma në Drejtësi, nevojë imediate për integrimin e Shqipërisë

24-01-2012 / Gazeta 55

Ettore Sequi: Janë akorduar 2.3 milionë euro nga Komisioni Evropian. Halimi: Opozita të votojë Gjykatën Administrative

Rëndësia e reformës në drejtësi për integrimin e Shqipërisë ishte çështja kryesore e diskutuar në ambasadori i BE, Ettore Sequi në mbledhjen e tretë të Komitetit Drejtues të Palëve të Interesit të projektuar nga BE, “Konsolidimi i Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” (EURALIUS III).
“Europa ka vendosur të japë 2.3 milion euro nga paratë e taksapaguesve të saj për EURALIUS dhe ky është një sinjal i rëndësisëm, pasi reforma në gjyqësor është një prioritet kyç për aspiratat integruese të Shqipërisë në BE”- u shpreh kreu i delegacionit të Komisionit Evropian, Ettore Sequi. Ai nënvizoi se Europa i kushton rëndësi kësaj fushe jo thjesht për kortezi, por se institucione të forta garantojnë demokracinë thelbësore dhe sundimin e ligjit, të cilat janë tepër të rëndësishme, jo vetëm për  anëtarësimin në BE, por dhe për thithjen e investimeve. “Ne duhet të shikojmë një përparim gjithpërfshirës në Shqipëri, që institucionet në këtë vend, janë në gjendje të ushtrojnë qeverisjen demokratike dhe të mbrojnë të drejtat thelbësore të njeriut”- tha Sequi.
Ambasadori i BE-së theksoi se EURALIUS III është një projekt asistence prej 2.3 milion eurosh që investon tërësisht sistemin e drejtësisë shqiptare me objektivin për të mbështetur institucionet e tij dhe për të kryer reformat e tyre drejt standardeve dhe praktikave më të mira europiane.
Sequi nënvizoi gjithashtu se gjatë 15 viteve të fundit pothuajse 100 milion euro janë shpenzuar vetëm për sistemin e drejtësisë në Shqipëri, fonde këto të shpenzuara për gjykatat, zyra, prokurorët, burgje, qendra riintegrimi, për legjislacionin, para që kanë shkuar drejt të drejtave thelbësore të shqiptarëve. Nga ana e tij ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi u ndal në iniciativat për një organizim të pavarur të sistemit gjyqësor, promovimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndershëm si dhe dhe disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve e prokurorëve të papërgjegjshëm e të korruptuar. Halimi shprehu nevojën për miratimin në Parlament të projektligjeve te rendesishme për reformimin e sistemit të drejtesisë. “Të gjithë e dimë që janë të paktën pesë projektligje në Parlament prej tre vitesh, përfshi atë për Gjykatën Administrative, por që nuk ka akoma as një plan për t’u shqyrtuar dhe miratuar. Ne kemi nevojë imediate për të vendosur ekulibrin e duhur midis pavarësisë dhe përgjegjshmërisë apo llogaridhënies. Këto dy kopmonente janë të pandarë nga njëra-tjetra dhe grantojnë sistemin e ndarjes dhe balancimit te pushteteve, që sanksionohet në Kushtetutën shqiptare”- tha ministri Halimi.
Ndërsa nga ana tjetër, kryeprokurorja Ina Rama shprehu mirënjohje për mbështetjen dhe asistencën që Komisioni Europian po i jep sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Ndërsa shtoi se duke theksuar vështirësitë me të cilat përballet sistemi i drejtësisë, në themel të vendosjes së drejtësisë mbetet vullneti.
Misioni EURALIS ka ka një angazhim intensiv prej 15 vitesh në reformën e gjyqësorit në Shqipëri duke asistuar në shumë ndryshime dhe reforma të suksesshme.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›