Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen me fondin Abu Dhabit

Marrëveshja, 50 milionë dollarë për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, kostoja totale e rrugës 320 milionë dollarë
Komisioni i Ekonomisë ka miratuar me konsensus me votat e të dyja palëve marrëveshjen me fondin e Abu Dhabit prej 50 milionë dollarësh, për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Kostoja për ndërtimin e kësaj rruge është ulur nga ajo që ishte parashikuar në fillim. Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho tha se me miratimin e kësaj marrëvehsje mbyllet i gjithë financimi i rrugës, kostoja totale e së cilës shkon në 320 milionë dollarë, përfshirë supervizimin dhe hartimin e projekteve. Kostoja e parashikuar në fillim për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë 407 milionë dollarë dhe ka një zbritje prej 87 milionë. E gjitha kjo sipas Spahos argumentohet që gradualisht po kalojmë në parametra të tjerë të administrimit të projekteve të tjera të mëdha, që rezultojnë në mirëqënie të qytetarëve dhe punësim.
Ndërsa përsa i përket debateve në komisionin e Ekonomisë Spaho sqaron se është pozitiv fakti që debati ngeli në aspektin teknik dhe pati mirëkuptim për ta mbështetur ndërtimin e rrugës.