E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e imunitetit për 3 deputetët socialistë, Këshilli i Mandateve nis procedurën të premten

24-01-2012 / Gazeta 55

Topalli: Prej një vitit Kuvendi ka qenë në pritje të hetimeve të Prokurorisë për organizatorët e sulmeve ndaj Institucioneve

Këshilli i Mandateve dhe imuniteteve do të nisë të premten shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë Tauland Balla, Besnik Bare dhe Tom Doshi. Pas debateve të shumta mes kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi, këshilli vendosi që ditën e premte në orën 10:00 të nisë procedurën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë duke dëgjuar edhe shpjegimin e tyre. Në fillim të seancës Kryetarja e Kuvendit i ka bërë me dije këshillit për kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë ndërsa ka shtuar se kjo kërkesë vjen një vit pas ngjarjesve të 21 janarit. “Ka kaluar një vit që nga 21 janari dhe Kuvendi ka qënë në pritje për një kërkesë të prokurorisë për të hetuar planifikimin dhe organizimin e sulmit të egër ndaj kryeministrisë”- u shpreh Topalli. Kryetarja e Kuvendit i ka kërkuar Këshillit që të përcaktojë relatorët dhe nesër të fillojë thirrja e deputetëve për të cilët kërkohet heqja e imunitetit të japin shpjegimet e tyre në përputhje kjo me rregulloren. “Kur bëhet kërkesë për autorizim për procedim penal, Kuvendi nis menjëherë procedurën. Kjo mbledhje është thirrur për t’i bërë të njohur anëtarët e këtij këshilli dosjet e sjella pas një viti nga Prokuroria e Përgjithshme. Deputet janë lajmëruar, do zbatohet rregullorja. Kuvendi do të japë mundësi Prokurorisë për të bërë një hetim të gjithanshme të asaj dite të zezë të 21 janarit të një viti më parë. Them të zgjedhim relatorët që  të hartojnë raportin dhe nesër të thërrasim njërin nga këto tre deputete për të dhënë mundësi në respekt të rregullores për të dhënë shpjegimet e tyre”- tha Topalli.
Kreu i grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi ka kërkuar zbatimin e rregullores në mënyrë që t’i lihet kohë anëtarëve të njihen me dosjet dhe vetë deputetëve të njihen me materialet e mbërritura.
“Nuk kemi asnjë vërejtje, pasi jemi të qartë që si ata dhe të gjithë ne, veprimtaria jonë ka qenë në përmbushje të plotë të ligjeve dhe të drejtës që siguron Kushtetuta. Meqë hetimi duhet të prekë politikën, ka radhë dhe hetimi nis nga ata që dhanë urdhër, ata kanë emër të përveçëm kryeministri dhe ish ministri i brendshëm. Jemi ne që në shtator që kemi çuar një pakt dhe pika 9 i këtij pakti thotë që ne do të dorëzojmë mandatin tonë për çështjet që hap prokuroria duke filluar nga 21 janari dhe për çdo çështje tjetër ”- tha Ruçi.
I menjëhershëm ka qënë reagimi i kryeparlamentares Topalli e cila ka kërkuar të mos zvarritet më tej kerkesa për procedim, që pritej prej një viti. “Nuk jam dakort me Ruçin që thotë që nuk do të rrimë pa gjumë për të lexuar dosjen por edhe pa gjumë mund të rrini pasi e keni për detyrë dhe keni lënë pa gjumë gjithë Tiranën një vit më parë. Drejtësia do të bëhet, unë nuk jam për ta shtyrë procesin, unë jam për ta vazhduar atë”- theksoi Topalli.
 Një ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në kryesinë e Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të tre deputetëve socialistë për të bërë të mundur sqarimin plotësisht të pozicioneve të tyre në lidhje me ngjarjet e 21 janarit. “Për të sqaruar plotësisht pozicionin e deputetëve Besnik Baraj, Tom Doshi dhe Taulant Balla në raport me ngjarjet e datës 21.01.2011, për veprën penale të “organizimit dhe pjesmarjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, lind e domosdoshme kryerja e disa veprimeve hetimore ndaj tyre. Prokuroria e Përgjithshme, i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë dhënien e autorizimit për procedim të 3 deputetëve socialistë”- tha një ditë më parë kryeprokurorja Ina Rama. 3 deputetët në fjalë dyshohet se janë organizatorët e kontigjentit kriminal prej 200-300 protestuesish me precedentë të mëparshëm, të cilët edhe u vërsulën drejt ndërtesës së Kryeministrisë jo vetëm me mjete të forta si gurë, dru dhe pllaka bulevardi, por edhe me bomba molotov. Mes protestuesve spikatën dhe eksponentë të armatosur me armë tip pistoletë. Edhe pseu vunë para ligjit, organi i akuzës kërkoi dënime minimale nga 2 deri në 10 muaj burg, çka do të thotë se sot 1 vit pas grushtit të shtetit, ky kontigjent kriminal është në liri dhe mbart rrezikshmëri për rendin dhe qetësinë publike. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›