BE: Shqipëria ska përmbushur as kushtet minimale për statusin
Konkluzioni paraprak i KE-së, dramatik. Më 12 korrik takimi parlamentar
Fatjona Mejdini
Shqipëria nuk ka mbushur as kushtet më minimale në kuadër të kërkesës së saj për të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian këtë vjeshtë. Ky është konkluzioni paraprak i Komisionit Europian i shprehur dje nëpërmjet shefit të njësisë për Shqipërinë në KE, Vassilis Maragos në Bruksel. Sipas Top Channel, Maragos raportoi në mbledhjen parapërgatitore në kuadër të mbajtjes së mbledhjes së pestë të Komitetit të Stabilizim-Asocimit mes deputetëve të Parlamentit Europian dhe atyre të Shqipërisë. Në mbledhjen parapërgatitore për takimin që do të mbahet mes dy delegacioneve në datat 11 dhe 12 korrik, PE përfaqësohej nga drejtori i Ballkanit në PE, Eduard Kukan, dhe Shqipëria nga ambasadorja e Shqipërisë në Bashkimin Europian, Mimoza Halimi. Sipas Maragos, çështjet kyçe që Shqipëria duhet të përmbushte për të marrë statusin ishin zgjedhja e Presidentit, dorëzimi i një numri rezultatesh të prekshme në disa fusha, si dhe një paketë minimale kushtesh për tu plotësuar për statusin. Por sipas Maragos, të gjitha këto kushte varen në mënyrë specifike nga dialogu politik mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, që do të bënte të mundur funksionimin e marrëveshjes së lidhur në nëntorin e vitit të shkuar. Kushti më kyç dhe më parësor, i cili do të ndikonte edhe mbi dialogun politik, por edhe pjesën e mbetur të reformave, është plotësimi i marrëveshjes së nëntorit. Ky është minimumi që duhet të bëjë Shqipëria në javët e ardhshme, për të ruajtur dialogun politik, por edhe për të krijuar kushtet për kryerjen e reformave të mbetura, deklaroi Maragos. Në lidhje me akuzat mes palëve se kujt i bie përgjegjësia për ngecjen e reformave dhe për pasojë për mosmarrjen e statusit, Maragos deklaroi në mënyrë eksplicite se të dyja palët kishin përgjegjësi dhe se asnjëra nuk mund të përjashtohej dhe tia hidhte fajin tjetrës. Është e rëndësishme që aktorët politikë shqiptarë, si qeveria dhe opozita, të lëvizin nga pozicionet e tyre respektive, pasi ne nuk asimilojmë përgjegjësitë e dy palëve, por të dyja palët kanë interesin dhe përgjegjësinë të punojnë së bashku për të mbyllur këto çështje që mbeten pezull, theksoi shefi i njësisë për Shqipërinë në KE. Nga ana e tij, Kukan deklaroi se uronte që komiteti i radhës mes deputetëve shqiptarë dhe atyre të PE-së të shkonte në mënyrë normale. Në këtë mbledhje kam informacion se do të ketë një përfaqësim të plotë nga të dyja palët, e shpresoj të jetë një mbledhje normale. Besoj se situata po përmirësohet tani, prandaj ne duhet të mbajmë një takim standard. Standard do të thotë se do të jetë publik, do të zgjasë 2 ditë, e nuk do të ketë shkurtime, dhe rekomandimet e miratuara bashkërisht do të përfshihen në axhendën e takimit, deklaroi Kukan, jo pa ironi.
Kukan
Kemi informacion se do të vijë një delegacion i plotë nga Shqipëria, prej 13 deputetësh. 13 është numër ters, por këtu asnjëri nuk është supersticioz
Zhvillimet
Arritja - Zgjedhja e Avokatit të ri të Popullit mes PD-së dhe PS-së u konsiderua një arritje e klasës politike në vend
PS - Kthimi i PS-së në Parlament u konsiderua si një shenjë e funksionimit të Parlamentit, ndonëse jo në nivelin e duhur
Ligjet - Votimi i disa ligjeve të rëndësishme në vend me një shumicë të cilësuar u konsiderua si përmbushja e një prej 12 rekomandimeve
Koha - Shqipëria ka humbur për vite mundësinë për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Tetori i këtij viti është provimi i tretë
BE: Shqipëria ska përmbushur as kushtet minimale për statusin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci