Një OKB në Tiranë, Berisha: Shqipëria, reforma transformuese
Kryetarja e grupit të zhvillimit të OKB, Helen Clark: Qasja Një OKB e rëndësishme për vendet në zhvillim
Zhvillohet për herë të parë në Tiranë konferenca ndërqeveritare e nivelit të lartë për reformën “Një OKB”. I pranishëm në këtë konferencë, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha ka theksuar se nisma Një OKB është një histori suksesi në Shqipëri. “Në një hark të shkurtër kohor projekti pilot u faktua si një test që i rezistoi kohës dhe sot numri i vendeve që janë angazhuar në këtë proces është rritur 4 herë. Shqipëria pati fatin e mirë që të ishte ndër të parët vende dhe unë mund të them se në këtë moto ka një ndryshim thelbësor në marrëdhënien e vendit tim me nënorganizatat e OKB-së, kontribut që kanë qenë thelbësor në zhvillimin e vendit tim shtoi Berisha, i cili më tej ka renditur një seri reformash në fushën e arsimit, identifikimit të qytetarëve, të barazisë gjinore, të mjedisit dhe mbrojtjes së tij dhe një seri fushash të tjera.
Sot kemi disa tregues të njëjtë me vendet e zhvilluara, pavarësisht se nuk jemi ende një vendi i zhvilluar. Vdekshmëria foshnjore është 1-shifrore, kemi një jetëgjatësi në rritje të barabartë më vendet e zhvilluara, vdekshmëria totale e njëjtë më vendet e zhvilluara. Varfëria është ulur nga 18% në 12%, ndërsa varfëria ekstreme ka pësuar gjithashtu ulje. Ekonomia i rezistoi krizës. Ka pasur një rritje katër herë më të lartë se vendet e rajonit- u shpreh Berisha.
Pas konferencës kryeministri Berisha dhe ish-kryeministrja e Zelandës së Re, Helen Clark, aktualisht kryetare e grupit të zhvillimit të OKB-së dhanë një konferencë për shtyp ku znj.Klark deklaroi se kjo nismë e OKB-së ka të bëjë përmirësimin dhe efektshmërinë e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe Shqipëria ka luajtur dhe luan një rol të rëndësishëm në këtë kuadër. Duke e vlerësuar konferencën shumë të rëndësishme për impaktin që do të ketë dhe për të ardhmen, Clark vlerësoi se Shqipëria ka bërë më të mirën e mundshme për këtë nismë.
Kjo axhendë ka si objektiv që OKB-ja të punojë më mirë në mënyrë që edhe zhvillimi të ndihmohet më shumë- theksoi Clark, e cila shtoi se qasja Një OKB ka përforcuar rolin e saj dhe ka treguar se i përgjigjet axhendave të ndryshme të vendeve në zhvillim.
Konferenca tre ditore (27-29 qershor 2012), që organizohet çdo vit në vende të ndryshme të botës, u përshëndet nga Sekretari i Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon. Ai vlerësoi këtë nismë si shumë të rëndësishme, ndërsa tha se kombet duhet të bashkojmë forcat. Reformat duhet të kalojnë në një nivel më të lartë, nënvizoi ai. Nga Konferenca do të dalin dy dokumente kryesore të cilat do të japin rekomandime mbi të ardhmen e kësaj nisme në vendet ku ajo do të aplikohet. Vendet pjesëmarrëse të bien dakord mbi një qëndrim të përbashkët që elementë kyç të nismës Një OKB, ti paraqiten, në korrik 2012, Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC) dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vjeshtë të vitit 2012.
27 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Një OKB në Tiranë, Berisha: Shqipëria, reforma transformuese burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Nga diktatura në demokraci