Berisha: Të ndërtojmë Rrugën e Mëndafshit mes Pekinit e Tiranës

Berisha me Presidentin e Turqisë, Gyl
Kryeministri në Forumin Ekonomik të Detit të Zi
Gjatë vizitës së tij në Turqi, Kryeministri Sali Berisha ka marrë pjesë në Forumin e lartë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, ku kërkoi angazhimin e të gjithë krerëve të shteteve pjesëtare të BEDZ, për të ndërtuar rrugën Egnatia për të vijuar me Rrugën e Mëndafshit. Me rastin e 20-vjetorit të themelimit të kësaj organizate ekonomike, kreu i qeverisë shqiptare shprehu bindjen se me ndërtimin e Korridorit tetë do tu jepet një zhvillim i rëndësishëm ekonomive të vendeve dhe shkëmbimeve tregtare. Sot, në këtë 20-vjetor, unë besoj se ne kemi arsye të shohim për një horizont të ri, sepse ky rajon është një nga rajonet më strategjikë në botë, është rajon që lidh kontinentet më të mëdha, tregjet më të mëdha në botë dhe civilizimet më të zhvilluara botërore. Ndaj vendet tona dhe BESC besoj se duhet të ecin përpara, të përmirësojnë më shpejt dhe më tej infrastrukturat që lidhin vendet tona me njëri-tjetrin. Pavarësisht progresit, rajoni ka nevojë për një infrastrukturë të përshtatshme. Ekzistojnë disa iniciativa të rëndësishme në këtë drejtim. Unë përshëndes qeverinë e Azerbajxhanit për projektet tepër të rëndësishme rajonale për naftën dhe gazin. Duhet të mbajmë parasysh se rruga më e vjetër që lidhte kontinentet, kalonte përmes këtij rajoni, rruga Egnatia, Rruga e Mëndafshit. Ka një debat të gjatë për Korridorin 8, i cili është një mijë kilometra dhe besoj se ka ardhur koha që vendet tona të angazhohen për ndërtimin e këtij Korridori, i cili është edhe një nga segmentet kryesore e më të rëndësishme të Rrugës së Mëndafshit. Janë më pak se 150 kilometra të këtij Korridori që mungojnë midis Bullgarisë dhe Maqedonisë e Shqipërisë dhe tregtia do të kalojë nga Tiranë në Pekin. Ne shpresojmë që në vitet që vijnë, BESC, në interesin më të mirë të vendeve tona dhe të zhvillimit global, të ndjekë një politikë më agresive në drejtim të rindërtimit të infrastrukturave lidhëse ndërkombëtare, deklaroi Kryeministri Berisha.