Moratoriumi, rrëzohet PS për skafet, do lejohen jahtet

Ilir Gjoni në Komisionin e Sigurisë
Komisioni i Sigurisë nuk pranon amendamentet e Partisë Socialiste.
Gjoni i PS fyen Berishën: E ka hundën si velë anijeje.
Komisioni Parlamentar i Sigurisë Kombëtare ka miratuar dje me konsensus propozimin e tre deputetëve të maxhorancës për zbutjen e moratoriumit të mjeteve lundruese.
Me ndryshimet e reja, të propozuara nga demokrati Osman Metalla, deputeti i LSI-së Lefter Koka dhe ai i PDIU-së, Dashamir Tahiri, do të mundësojnë që në bregdetin shqiptar të lejohet qarkullimi i mjeteve lundruese të klasifikuara si anije me vela apo jahte turistike. Anëtarët e Partisë Socialiste në Komisionin e Sigurisë propozuan një tjetër amendament që synon të lejojë dhe skafet, gomonet apo anijet prej druri, por me kushtin që të kenë një fuqi motorike të instaluar, jo më të madhe se 40 kuaj fuqi. Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni, theksoi se me lejimin e anijeve me vela apo jahteve favorizohen vetëm shtresat e pasura të shoqërisë, ndërsa shtresa e mesme diskriminohet. Për deputetin Gjoni, amendimet e propozuara nga tre deputetët e PD, LSI dhe PDIU duhet të zbuten edhe më shumë, duke i lejuar qytetarëve që kanë më pak të ardhura të përdorin për turizëm anijet prej druri, skafet apo gomonet me një fuqi motorike të limituar. Unë do të doja të shtoj që në këtë amendim të përfshiheshin dhe mjetet lundruese me 40 kuaj fuqi, pra që mund të jenë dhe varkat me dru, mund të jenë dhe gomone, mund të jenë dhe mjete të tjera lundruese të cilat përdoren kryesisht për qëllime turistike. Në qoftë se bëhet kjo, ne atëherë krijojmë një barazi shoqërore dhe një mundësi për një shtresë më të gjerë të njerëzve, duke mos e hedhur poshtë moratoriumin, por ama duke besuar te kapacitetet e shtetit, deklaroi deputeti Gjoni.
Deklarata
Propozimi i deputetëve të PS-së është hedhur poshtë nga demokratët në Komisionin e Sigurisë. Sipas Osman Metallës, lejimi i skafeve apo gomoneve do të rikthente trafiqet në bregdet dhe, për rrjedhojë, bie ndesh me qëllimet e moratoriumit. Por gjatë debatit deputeti Ilir Gjoni theksoi se me lejimin vetëm të jahteve favorizohen njerëzit me influencë. Madje, Gjoni ka fyer dhe Kryeministrin Berisha duke ironizuar përmasat e hundës së tij. Vetëm disa ditë më parë, në Gjirin e Dhërmiut qarkullonte një jaht, edhe pse është ende në fuqi moratoriumi, siç qarkullon çdo verë Kryeministri me jahtin e vet apo të marrë nga dikush tjetër, theksoi deputeti Gjoni, i cili u pyet nga demokratët nga e dinte se ishte pikërisht Kryeministri në atë jaht dhe çfarë flamuri kishte anija. Nuk ka rëndësi çfarë flamuri ishte, unë shoh Kryeministrin, ai duket, e ka hundën si velë anije, nuk ka nevojë për ta dalluar unë atë, deklaroi Ilir Gjoni. Pas kësaj deklarate, kryetari i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, u shpreh se: Nuk ka nevojë për të tilla kualifikime zoti Gjoni, mund të rezervoheni pak.
Anëtarët e maxhorancës dhe opozitës në Komisionin e Sigurisë kanë miratuar në parim dhe më pas nen për nen propozimet e tre deputetëve të maxhorancës. Ndërsa propozimin e deputetëve të Partisë Socialiste për lejimin e skafeve, varkave apo gomoneve nuk e hodhën në votim, duke ia kaluar Komisionit të Ligjeve të shprehet për këtë propozim.
Gaçi: Do propozojmë amendamente të reja
Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi, një nga propozuesit e shfuqizimit të moratoriumit të mjeteve lundruese, tha dje për Panorama se do të paraqesë sot me shkrim propozimin për lejimin e mjeteve lundruese, skafe, gomone, varka druri me fuqi motorike jo më të madhe se 40 kuaj fuqi. Deputeti Gaçi theksoi se amendamenti do të paraqitet në Komisionin e Ligjeve dhe me pas në seancë plenare. Ne dolëm me problemin e moratoriumit për ti shërbyer një kategorie sa më të madhe, por dolën sërish në një amendim të ligjit, që është në kundërshtim me Kushtetutën. Ne me këtë amendim, nëse ngelet vetëm ky, i propozuar vetëm nga tre deputetët e maxhorancës, atëherë po presupozojmë që miliarderët nuk janë trafikantë dhe miliarderët kanë të drejtë të lëvizin dhe për ta ne jemi të gatshëm të ndryshojmë ligjet. Ndërsa qytetari i thjeshtë dhe ai i mesëm paragjykohet dhe nuk mund të lëvizë me mjete lundruese, se mund të jetë trafikant, theksoi Gaçi.
Deputetët e PS-PD, sot kontroll Arben Imamit
Deputetët e Komisionit të Sigurisë sot do të zbarkojnë në Ministrinë e Mbrojtjes për të hetuar punën vjetore të zhvilluar nga ministri Arben Imami. Grupi i punës i përbërë nga katër deputetë, përkatësisht Armando Prenga dhe Piro Lutaj nga PS dhe Luan Skuqi e Osman Metalla nga PD, do të vijojnë sot kontrollin në Ministrinë e drejtuar nga Arben Imami, për të verifikuar gradimet dhe shkarkimet e gjeneralëve. Në kërkesën e miratuar nga Komisioni i Sigurisë thuhet se pjesë e kontrollit do të jenë: mbikëqyrja e gradave në Forcat e Armatosura të RSH në procesin e gradimeve të bëra nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, për vitet 2010-2011; kontrolli dhe mbikëqyrja e planit të përhapjes së Forcave të Armatosura dhe ndryshimet strukturore që janë bërë dhe që pritet të bëhen në Forcat e Armatosura; mbikëqyrja e paketës ligjore për funksionimin e Forcave të Armatosura në kodet e mjedisit të ri gjeopolitik pas anëtarësimit në NATO. Në mbledhjen e shkuar, anëtarët e opozitës kanë kërkuar që në kontrollin që do të ushtrohet ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, të përfshihen dhe pesë pika të tjera që kanë të bëjnë me mbikëqyrjen e buxhetit të këtij dikasteri, kapacitetet operacionale dhe pajisjet e Forcave të Armatosura.
FATION BINJAKU