E Diel, 1 Nëntor 2026

BE Shqiperia zhvillime pozitive me rendesi reforma zgjedhore

Komisioni Europian vlerëson pozitivisht reformat e integrimit në Shqipëri si dhe zhvillimet më të fundit në vend. Pjesa më e rëndësishme mbetet ende reforma zgjedhore, dhe progreset e arritura javët e fundit. Parlamenti Europian ka shprehur vullnetin e mirë për të përfshirë në rezolutën për Shqipërinë të gjitha arritjet që Shqipëria mund të korrë deri në tetor.
Përveç qasjes më aktive dhe inkurajimit të Komisionit Europian për reformat e integrimit në Shqipëri, një ndjeshmëri pozitive ndaj zhvillimeve të fundit në vend është shprehur hapur edhe në takimet që ministrja e integrimit Majlinda Bregu ka zhvilluar me deputetë të Parlamentit Europian. Zëvendëskryetari i delegacionit për Ballkanin, Libor Roucek i grupimit socialistdemokrat ve në pah progreset që janë arritur javët e fundit, duke u ndalur veçanërisht tek rëndësia e reformës zgjedhore.
“ Zhvillimet janë pozitive dhe mund të themi se janë bërë shumë progrese. Por ne jemi ndalur gjerësisht tek reforma zgjedhore. Jo lidhr me detajet e zgjedhjeve, pasi kjo nuk është detyra jonë. Por ajo që është e rëndësishme për ne dhe që u themi forcave politike në Shqipëri është që kodi zgjedhor dhe proçedurat të jenë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR. Pasi na pëlqen apo jo, Shqipëria nuk do të gjykohet për faktin se kush do fitojë apo kush do ti humbi zgjedhjet e 2013, por se sa do ti plotësojë vendi standartet gjatë zgjedjeve në 2013”-u shpreh Roucek.
Eurodeputetja Doris Pack, apo kryetari i delegacionit për Ballkanin , Eduard Kukan i grupimit të djathtë në Parlamenti Europian ndajnë qëndrimin e komisionerit Fyle, se Shqipëria duhet të ecë përpara me të gjitha aksionet e nevojshme, në mënyrë që të ofrojë një masë të konsiderueshme rezultatesh konkrete, duke përfshirë edhe përfundimin e shpejtë të reformës elektorale dhe rishikimin e rregullores së Parlamentit Shqiptar. Edhe në takimin që ministrja Bregu ka patur me raportuesin për Shqipërinë, Nikolaos Chountis, është vënë në pah vullneti i Parlamentit Europian për të përfshirë në rezolutën për Shqipërinë të gjitha arritjet që Shqipëria mund të korrë deri në tetor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›