E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu Kete vit do demontohen 26.000 ton municione

Nga 85.000 ton municione që përllogariteshin në vitin 2009, kanë mbetur për t’u asgjësuar rreth 38.845 ton municione, prej të cilave 26.000 ton do të eleminohen gjatë vitit 2012. Kështu ka deklaruar gjatë një konference për shtyp Zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, ku nëpërmjet një raporti të hollësishëm bëri prezent për publikun punën e bërë deri më tani nga strukturat e Forcave të Armatosura për demontimin e municioneve të tepërta.
“Që nga viti 1992, Forcat e Armatosura administronin rreth 194.000 ton municione luftarake, të depozituar në qindra magazina, depo e tunele dhe të shpërndarë në të gjithë vendin.
Në vitin 2009 Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm hartuan planin e veprimit për asgjësimin e rreth 85.000 ton municione të llojeve e kalibrave të ndryshëm, të cilat kishin mbetur nga regjimi i së kaluarës”-deklaroi Spahiu

Sipas tij, kjo sasi municionesh ishte kryesisht prodhim rus i viteve 1945–1960, kinez i viteve 1961–1976 dhe prodhim shqiptar i viteve 1967–1992. Rreth 95 % e tyre kishte një vjetërsi prodhimi mbi 40 vjeçare, në një kohë që, sipas specialistëve dhe ekspertëve të vendeve të tjera, jetëgjatësia e municioneve është 15–20 vjeçare.

Në vitin 1992 municionet u përqendruan në depot më të afërta, duke i tejmbushur ato mbi kapacitetet depozituese, si dhe duke rritur ndjeshëm rrezikshmërinë. Ndërkaq, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO kërkonte rishikimin e standardeve të kompletimit me municion të FA-së, ruajtjen, depozitimin dhe administrimin e tyre, si dhe forcimin e sigurisë dhe eliminimin e premisave për ngjarje të padëshiruara.

Për të realizuar me sukses këtë detyrë, me urdhër të ministrit të Mbrojtjes u ngrit Bordi Drejtues për Asgjësimin e Municioneve të Tepërta në Forcat e Armatosura, i cili ngriti grupin e punës për përgatitjen e Planit të Veprimit për asgjësimin e municioneve të tepërta dhe detajimin e të gjitha hapave që do të ndërmerreshin për trajtimin e këtyre municioneve, me synim eliminimin e gjithë sasisë së municioneve të tepërta brenda vitit 2013.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›