E Diel, 1 Nëntor 2026

BE Shqipërisë: Zgjedhjet nuk janë kusht për statusin

Zgjedhjet parlamentare nuk janë një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kështu u shpreh komisioneri Stefan Fyle dhe ministrja e jashtme e Qipros Erato Kozakou Marcoullis.

“Kjo nuk është pjesë e konkluzioneve dhe sigurisht nuk është pjesë e kritereve për marrjen e statusit. Por padyshim zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por ky nuk është një kusht”- deklaroi ministrja e jashtme e Qipros.

Kur e pyesin komisionerin e zgjerimit nëse zgjedhjet e 23 qershorit janë një kusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat apo jo, në përgjigjen e tij, komisioneri tha: “Ne aktualisht kemi një kohe të gjatë duke shqyrtuar konkluzionet dhe rekomandimet, të cilat nuk lënë hapësirë të gjerë për interpretime të ndryshme dhe në fakt ka shume interpretime të ndryshme”- u shpreh komisioneri Fyle, transmeton BW.

Gjithashtu komisioneri Stefan Fyle u bëri sërish apel politikanëve shqiptarë që të përqëndrohen tek tre kushtet e mbetura, sepse sipas tij procesi i anëtarësimit bazohet në kredibilitet.

Ndërkohë opozita në Shqipëri shprehet se Bashkimi Europian e kushtëzon marrjen e statusit të vendit kandidat me zgjedhjet e 23 qershorit./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›