Jahjaga: Çdo komunë të ketë nënkryetare femër

Është themeluar Dhoma Ekonomike e Gruas në Kosovë e cila ka për qëllim fuqizimin e rolit të gruas në gjithë vendin dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka premtuar rritjen e kësaj kuote së pjesmarrëseve të grave në institucione deri në 50 %.
“Njëkohësisht si presidente e vendit jam duke shqyrtuar mundësinë për bashkëpunimin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të krijoj mekanizma që të rrisim kapacitetin e gruas dhe ngrisim pjesëmarrjen e saj në 50 % deri në vitin 2050”, ka theksuar Jahjaga.
Ndërkohë ajo shprehu besimin pas zgjedhjeve të ardhshme lokale, në udhëheqjet komunale, në të gjitha komunat në Kosovë, një nënkryetare do të jetë femër.
Ndërkohë, zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se ende ekziston një tendencë që inkuadrimi i gruas në biznes shihet ajo si viktimë.
“Ekziston një tendencë që edhe pasluftës inkuadrimi i gruas në ekonomi të shihet nga roli i viktimës, përderisa është momenti që kjo duhet të tejkalohet dhe gruaja të jetë jo vetëm e barabartë por me atë që shpeshherë është të jetë më e aftë”, tha Kusari-Lila.
Edhe zëvendësambasdorja amerikane, Kelly Degnan ka thënë se ky hap është një platformë për plotësimin e kërkesave të grave.
“Ne jemi shumë të lumtur që po shohim themelimin e Dhomës së Gruas sepse kjo mund të shërbej si platformë për fuqizimin e grave dhe të plotësonte kërkesat tuaj afariste”, ka thënë ajo.
Ndërkohë kryetarja e Dhomës Ekonomike të Gruas në Kosovë, Afërdita Saraçini ka thënë se ky institucion është i hapur të i ndihmoj të gjithëve.
“Jemi të hapur të ndihmojmë të gjithë ata që besojmë në ne, të gjithë ata për mision kanë zhvillimin ekonomik të Kosovës, për mision kanë që shtynë përpara ngritjen e standardit të qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar ajo. /Indeksonline/