E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Strategjia e energjisë pro Rusisë

Kryetari i Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso ka deklaruar në prag të samitit BE-Rusi se strategjia e BE-së për energjinë, që synon kryesisht shtimin e burimeve të saj të furnizimit, nuk është ndërtuar kundër Rusisë. Komisioni Europian ka paraqitur një strategji të detajuar që synon rritjen e sigurisë për energji në BE, falë projekteve të reja për gazsjellës ose shfrytëzimit të energjisë së erës dhe një diplomacie aktive. Këto përpjekje pritet të shoqërohen sidomos me një politikë më rigoroze në fushën e efikasitetit të energjisë së burimeve ekzistuese. "Axhenda jonë për sigurinë e energjisë nuk është kundër një vendi, strategjia nuk është përcaktuar në raport me Rusinë", tha Barroso. "BE-ja nuk i ka vënë vetes si objektiv një shifër në raport me Rusinë", u shpreh Barroso duke theksuar se blloku 27 anëtarësh parashikon në përgjithësi uljen e varësisë energjitike. "Ashtu si dhe Rusia kërkon të ketë shumë klientë, është absolutisht e natyrshme që vende të ndryshme europiane të kenë shumë burime furnizimi. Kjo është një çështje elementare kujdesi që nuk ka të bëjë aspak me çështje politike, por konsiston në rreziqet që mund të ekzistojnë në fushën e furnizimit dhe vështirësive të ndryshme që mund të dalin", nënvizoi kryetari i Komisionit Europian. Europianët nuk e kanë harruar konfliktin e dimrit të vitit 2006, kur një mosmarrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës lidhur me çmimin e gazit solli një ndërprerje të shkurtër të furnizimit për disa prej vendeve të tyre. Sot, Bashkimi Europian importon 61 përqind të gazit dhe 42 përqind e këtyre importeve vjen nga Rusia.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›