Gate: Hedh poshtë presionet e Rusisë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates ka hedhur poshtë presionet e Rusisë që të tërhiqen nga planet për vendosjen e një pjese të mbrojtjes raketore në Europë. Komentet e Gates u bënë gjatë takimit të NATO-s, që po mbahet në kryeqytetin e Estonisë, Talin. Takimi synonte demonstrimin e mbështetjes amerikane për Ukrainën dhe aleatët e Europës Lindore. Gates kërkon t'i tregojë vendeve baltike, Ukrainës dhe aleatëve europianë pranë Rusisë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë përkrah tyre. Ministrat e NATO-s u takuan në Talin për të vlerësuar përparimin e Ukrainës drejt një anëtarësimi të mundshëm, përfshi reformat e nevojshme ushtarake. Ndërkohë që Gates bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të sponsorizonin një institut në Estoni që do merrej me studimin e mbrojtjes nga sulmet në internet. Teksa Presidenti rus Dimitri Medvedev, duke folur për mediat franceze lidhur me planet rreth mbrojtjes raketore, deklaroi: "Ne mund të rishohim përgjigjen tonë për vendosjen e raketave të tipit Iskander në Kaliningrad, nëse administrata amerikane rishikon dhe analizon sërish efektivitetin e planeve për mbrojtjen anti-raketore dhe të shohin nëse përgjigja që po marrin është e duhura për kërcënimet nga të ashtuquajturat shtete të papërgjegjshme".