Sarkozy, do bashkpunoj me BE-në

Presidenca franceze ka njoftuar se Franca kërkon të punojë për afrimin e Bashkimit Europian me Gjeorgjinë me objektiv krijimin, brenda disa vjetësh, të një partneriteti të privilegjuar mes Tbilisit dhe BE-së. Presidenti gjeorgjian Mikail Sakashvili është takuar pasditen e së enjtes me homologun francez Nicolas Sarkozy, i cili është edhe president i radhës i Këshillit të Europës, në prag të një samiti mes BE-së dhe Rusisë në Nisë, në juglindje të Francës. "Fakti që presidenti i Republikës këmbënguli të takohej me Sakashvilin në prag të samitit me Rusinë tregon se Franca dhe Europa vazhdojnë të jenë përkrahëse të Gjeorgjisë dhe të angazhuara përkrah saj", janë shprehur burime në Elize. Përpara këtij takimi, Sakashvili i ka telefonuar Sarkozisë që të ruajë parimet dhe të mos thyhet në marrëdhëniet me Moskën. "Gjeorgjia dëshiron ta përshpejtojë afrimin me Bashkimin Europian. Jemi krejtësisht dakord me të sepse garancia e saj më e madhe e sigurisë dhe e begatisë, nuk është të armatosesh përsëri, por të krijosh lidhje shumë të forta me perëndimin, sidomos me BE-në", bëjnë të ditur burime në presidencë. Ndërsa presidenti Saakashvili ka theksuar se duhet të punohet për këtë projekt partneriteti pa afat. "Nuk e imagjinojmë të ardhmen e Gjeorgjisë pa Europën. Franca mund të luajë rolin kryesor në këtë afrim", tha ai . Sipas Elizesë, presidenti Sarkozy përsëriti gjithashtu pranë homologut gjeorgjian qëndrimin shumë të prerë të BE-së në favor të integritetit territorial të Gjeorgjisë.