Thaci: Plani i Ban Ki-Moon i papranueshëm

Kryeministri kosovar Hashim Thaçi ka përsëritur qëndrimin e tij kundër planit gjashtëpikësh për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon. "Elementet substanciale të gjashtë pikave kanë qenë dhe do të mbeten të papranueshme", ka deklaruar kryeministri Thaçi. Ai ka theksuar se udhëheqja kosovare ka pranuar vendosjen e EULEX-it në tërë Kosovën. Zgjidhja e drejtë, sipas Thaçit, është që EULEX-i të respektojë pavarësinë e Kosovës, Kushtetutën e saj, planin e Ahtisaarit dhe garantimin e plotë të integritetit territorial të vendit. Në konferencën për harmonizimin e legjislacionit të Kosovës me atë të Bashkimit Europian, shefi i ekzekutivit kosovar ka ritheksuar se vendi i tij është në një fazë të rëndësishme të integrimeve europiane. Ndërsa shefi i Zyrës ndërlidhëse të Komisionit Europian në Kosovë, Renzo Davidi, është shprehur se harmonizimi i ligjeve të Kosovës me pakon legjislative të BE-së, është njëra nga kushtet kryesore për integrim në familjen europiane.