McIlwham: BE-ja nuk janë vetëm vizat
Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona McIlwham deklaroi dje se ekziston rreziku që qytetarët shqiptarë të mos kuptojnë thelbin e Bashkimit Europian dhe integrimit. Gjatë hapjes së ekspozitës BE-Kulture, ajo tha se "ekziston rreziku që në vorbullën e përditshme mediatike, BE-ja të bëhet vetëm një nëntitull, një fletkalim, një vizë, apo diçka abstrakte, për të cilën politikanët shqetësohen. Në fakt, është shumë më shumë se kaq ... është një familje, është një sistem vlerash, është KU dhe SI jetojmë". Ajo tha më tej se, Qeveria britanike kërkon stabilitet për Shqipërinë, ndërsa shtoi se reformat duhet të imponohet nga vetë qytetarët shqiptarë dhe jo nga të huajt. "Dhe ne duam t'i zgjerojmë përfitimet e BE-së - të ofrojmë stabilitet, prosperitet, mundësi për këtë rajon, për Shqipërinë. Ne e konsiderojmë perspektivën e anëtarësimit në BE si një mundësi të pakrahasueshme për shtetasit e Ballkanit Perëndimor. çështja është a jeni - a janë shqiptarët - dakord? Që ky projekt anëtarësimi të funksionojë, duhet të stimulojë jo vetëm imagjinatën e politikanëve, por kryesisht të njerëzve të zakonshëm, veçanërisht të të rinjve. Ambicia, reforma dhe vizioni duhet të jenë një program "shqiptar" - jo një listë gjërash e imponuar nga të huajt", tha ambasadorja britanike.