BE: Të hetohen parregullsitë në zgjedhje

Duke uruar qytetarët e Kosovës për "zgjedhjet e suksesshme, të cilat forcojnë zhvillimin demokratik dhe konfirmojnë përcaktimin e qytetarëve të Kosovës për të ardhmen europiane të vendit të tyre", kryetari i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek, thekson se, "akuzat serioze për mashtrime kanë tërhequr vëmendjen e delegacionit të Parlamentit Europian".
Andaj, Buzek pret nga organet kompetente të Kosovës, që në përputhje me ligjin, të zbardhin këto dyshime. Ndërkaq, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton ka deklaruar se po merr informacione nga njerëzit në terren.
"Do të presim zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Jam e vetëdijshme për atë se çfarë flitet. Unë mbetem e përkushtuar ndaj demokracisë dhe gjithmonë do të angazhohem për këtë", - ka thënë Ashton.