E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Të zbardhet vrasja e deputetit socialist

Nga Bledar Lumani

Katër ditë pas vrasjes së deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, policia nuk ka ende asnjë motiv zyrtar të kësaj ngjarjeje të rëndë, dhe për më tepër asnjë të dyshuar. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar përmes Komisionerit për Zgjerimin që të zbardhet ngjarja dhe të hetohet krimi me kujdes.

“Dënoj me forcë vrasjen e Fatmir Xhindit. Dua t'i përcjell ngushëllimet e mia të sinqerta familjes dhe miqve të tij. I bëj thirrje autoriteteve shqiptare të hetojnë këtë krim me shumë kujdes dhe të sjellin para drejtësisë autorin e saj”, - tha Rehn.

Ndërkohë, burime nga grupi hetimor pohojnë se vazhdojnë të hetohen disa pista, një ndër to është dhe ajo e konfliktit për pronësinë, por ende nuk konfirmohet asgjë. Shpërblimi prej 250 mijë eurosh që ka vënë në dispozicion policia ka dhënë efektin e vet, pasi një numër i madh personash kanë telefonuar në polici, duke treguar detaje të ndryshme për vrasjen, por që në fakt nuk kanë dhënë rezultat në zbardhjen e ekzekutimit të deputetit Xhindi. Sakaq, policia ka përforcuar kontrollet në pikat kufitare, duke ngritur postblloqe, me qëllim arrestimin e autorit të vrasjes, në rast se ky i fundit do të përpiqet të largohet nga vendi.

Hetimet

Grupi hetimor, i kryesuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka renditur të gjitha pistat e mundshme të motiveve të ekzekutimit të deputetit të Partisë Socialiste, Fatmir Xhindi, edhe pse ato nuk bëhen të ditura, pasi hetimet, për shkak të cilësive të veçanta të viktimës, po zhvillohen në sekret të plotë. Deri më tani burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se pista më e mundshme e vrasjes është ajo për konflikt pronësie, megjithëse një gjë e tillë nuk konfirmohet zyrtarisht. Jo vetëm që prokuroria nuk ka mundur dot që të zgjidhë misterin e vrasjes së deputetit Xhindi, por ende nuk ka arritur dot që të identifikojë ndonjë të dyshuar për vrasjen. Ndërkohë, burime nga Laboratori i Kriminalistikës pohuan se në pakon e aspirinave që dyshohet se i ka përdorur autori apo autorët dhe që mendohej se mund të çonin në identifikimin e tyre, nuk janë gjetur gjurmë. Nga skenari që policia ka ndërtuar mbi mënyrën e vrasjes së deputetit, mësohet se autori, pasi e ka pritur për më se 40 minuta në këtë vend, e ka qëlluar atë plot 12 herë, nga të cilat 9 plumba kanë qëlluar në trupin e viktimës. Autori dyshohet të ketë përdorur armë për herë të parë, pasi nga shpërndarja e plumbave tregohet se arma i ka dalë nga kontrolli, ndërsa qëllonte. Sakaq, policia ka ngritur postblloqe në pikat kufitare të Kakavijës, Kapshticës dhe Qafë Thanës, me qëllim prangosjen e autorit të vrasjes së deputetit socialist, në rast se tenton të largohet nga vendi në drejtim të Greqisë apo Maqedonisë. Ndërkaq, shpërblimi prej 250 mijë eurosh për personin që do të jepte të dhëna të sakta në lidhje me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, ka bërë që në Policinë e Shtetit të mbërrijnë një numër i madh telefonatash. Persona të ndryshëm kanë telefonuar në numrat e vënë në dispozicion nga Policia e Shtetit, duke dhënë detaje nga më të ndryshmet. Burime nga policia thanë se të gjitha të dhënat e telefonuesve janë marrë në konsideratë dhe janë verifikuar, por deri më tani asnjëra prej tyre nuk ka çuar hetuesit në motivin e saktë apo tek autorët që ekzekutuan deputetin Xhindi mbrëmjen e së shtunës në oborrin e banesës së tij në Roskovec.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›