E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungojnë të pandehurit, dështon seanca e parë për tragjedinë e Gërdecit

Nga Bledar Lumani

Seanca e parë gjyqësore ndaj 29 të akuzuarve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit ka dështuar. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur që ajo të zhvillohet gjatë javës tjetër, pasi në sallën e gjyqit nuk kanë qenë të pranishëm disa prej të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre. Nga 29 të pandehurit, në sallën e gjyqit ka qenë i pranishëm vetëm ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Ngjeci, ndërsa të akuzuarit kryesorë të kësaj ngjarjeje, Fatmir Mediu, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli, nuk kanë marrë pjesë në seancë, gjë të cilën, sipas deklaratave të paraqitura në gjykatë, nuk do ta bëjnë gjatë gjithë seancave në ngarkim të tyre.

Shtyrja

Mungesa e të pandehurit Shkëlzen Madani dhe avokatit të tij mbrojtës, ngatërresa e të pandehurit Dritan Minxholli, i cili në prokurën që kishte lëshuar për avokatin e vet, kishte nënshkruar me emrin Artan dhe mungesa e prokurës për gjeneralët Agim Lala dhe Fahri Toska, ka bërë që Gjykata e Lartë ta shtyjë seancën e parë për 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit. Kolegji Penal, me në krye gjyqtarin Besnik Ymeraj, ka vendosur që seanca e ardhshme të zhvillohet gjatë javës tjetër, megjithëse me të gjitha gjasat pritet që edhe ajo të dështojë. Kjo, duke parë numrin e madh të të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre, çka përbën një problem të madh për gjykimin, pasi një prej tyre të mungojë, gjykata është e detyruar që të ndërpresë seancën gjyqësore. Numri i madh i të pandehurve mund të bëjë që një prej proceseve më të bujshme dhe me numrin më të madh të të pandehurve në vendin tonë të vazhdojë për vite me radhë. Shembulli më i mirë për këtë është procesi gjyqësor ndaj bandës së Durrësit, teksa kur po mbushen dy vjet që nga nisja e gjyqit në ngarkim të të pandehurve, janë zhvilluar vetëm tri seanca, ndërsa mbi 60 të tilla kanë dështuar. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore në sallën e gjyqit ka qenë i pranishëm vetëm i pandehuri Sokol Ngjeci, ndërsa të pandehurit e tjerë kanë munguar. Kështu, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ashtu si dhe Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli, që akuzohen dhe si përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, është përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës. Këta të fundit, në deklaratat që kanë dorëzuar në gjykatë, kanë shprehur dëshirën që të mos marrin pjesë gjatë seancave gjyqësore në ngarkim të tyre. Për shkak se të pandehurit dhe mbrojtja e tyre nuk ka qenë e gjitha prezente në sallë, grupi i 5 prokurorëve që do të paraqesin akuzën nuk e mori dot fjalën. Sokol Stojani, Arben Dollapi, Arqile Koca, Alfred Progonati dhe Kujtim Luli do të përfaqësojnë akuzën e shtetit shqiptar ndaj 29 të pandehurve.

Të pandehurit

Në bankën e të akuzuarve për shpërthimin e 15 marsit gjenden 29 persona, nga të cilët 4 prej tyre do të procedohen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”. Nën këtë masë do të gjykohen ish-administratori i firmës “AlbaDemil”, Mihal Delijorgji, ish-drejtori teknik i punimeve në Gërdec, Dritan Minxholli, ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeci. Ndërsa 25 të pandehurit e tjerë, të gjithë ish-zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, do të gjykohen në gjendje të lirë. Në bankën e të akuzuarve do të ulet edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të cilin prokuroria ka ngritur akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Të pandehur në këtë dosje me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” janë edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral. lejtnant., Luan Hoxha, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, ish-komandanti i Forcave Mbështetëse, Zija Bahja, ish-komandanti i Logjistikës, Dashnor Çaushi, të gjithë këta të shkarkuar nga detyra menjëherë pas tragjedisë së Gërdecit. Ndërkohë, akuza e “Shpërdorimit të detyrës” i është komunikuar edhe ish-Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Ardian Mullai, si dhe Armand Tartarit, ish-drejtor në Drejtorinë e Buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, Ndue Markut, ish-zyrtar në Drejtorinë Juridike të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe ish-zv/komandant i Shtabit të Përgjithshëm, Agim Lala. Tragjedia për të cilën akuzohen 29 personat ka ndodhur një vit më parë, kur si pasojë e shpërthimit të fabrikës në të cilën kryheshin demontimet e municioneve, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Nga fuqia shpërthyese u shkatërruan edhe një numër i madh banesash dhe biznesesh, të cilat ndodheshin përreth. Sipas prokurorisë, të 29 të pandehurit, ndaj të cilëve rëndojnë akuza të ndryshme, kanë ndikuar me veprimet dhe mosveprimet e tyre në shpërthimin tragjik të kësaj punishteje, që solli vdekjen e 26 personave dhe mbi 300 të tjerëve të plagosur.

Zgjatja e hetimeve, shtyhet kërkesa e Damir Fazlliçit

Kërkesa e serbo-boshnjakut Damir Fazlliç për ndërprerjen e hetimeve të prokurorisë në ngarkim të tij nuk është shqyrtuar ditën e djeshme nga ana e gjykatës së Tiranës. Shkak për këtë është bërë mungesa e avokatëve mbrojtës së Fazlliçit, çka ka bërë që seanca e djeshme të dështojë. Gjyqtari i kësaj çështjeje, Gjin Gjoni, vendosi që kërkesa e serbo-boshnjakut të shqyrtohet gjatë javës tjetër, pikërisht më datën 11 maj. Damir Fazlliç kërkon nga ana e gjykatës së kryeqytetit ndërprerjen e hetimeve nga ana e organit të akuzës me argumentimin se hetimet po zgjaten pa asnjë shkak dhe jashtë çdo afati ligjor. Biznesmeni Fazlliç u vu nën hetim 7 muaj më parë, pasi dyshohet për pastrim parash. Ndërkaq, lidhur me këtë çështje, së fundmi, prokuroria i kërkon informacion shtesë Ministrisë së Drejtësisë për fatin e letër-porosive. “Kemi kërkuar informacion për letër-porositë që kemi dërguar në Angli, Qipro, Bosnjë, Zvicër dhe Kroaci, mbi bazën e të cilave do të vendoset për fatin e dosjes”, - thonë burime nga prokuroria, të cilët shtojnë se mbi bazën e informacioneve të ardhura nga këto vende, do të vendoset dhe për fatin e dosjes hetimore ndaj biznesmenit serbo-boshnjak. Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se Damir Fazlliç ka transferuar 1.7 milionë euro nga një bankë shqiptare drejt një banke në Cyrih, Zvicër. E gjithë procedura është kryer pas shitjes së kompanisë “Crown Acquisitions”, duke ngritur dyshime të forta se serbo-boshnjaku Damir Fazlliç ka kryer pastrim parash në Shqipëri. Hetuesit e çështjes kanë paraqitur fakte, sipas të cilave Fazlliç ka blerë prona në Durrës, saktësisht në vendin e quajtur Porto Romano, me vlerë 1.7 milionë euro. Sipas investigimeve të prokurorisë së Tiranës, shoqëritë që kanë blerë këto prona nuk zotërojnë asnjë kapital, madje janë regjistruar në gjykatë me një kapital prej 100 mijë lekësh të reja. Shoqëria “Crown Acquisitions” është regjistruar në gjykatë më datën 25.09.2005 me vendimin numër 34011 të gjykatës së rrethit Tiranë. Ortaku i vetëm është Damir Fazlliç dhe kapitali themeltar 100 mijë lekë, i ndarë në 100 kuota.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›