E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poliçan, grabiten në postë paratë e pensionistëve

 

POLIÇAN/ DILAVER XHELILI

Vidhen gjatë natës paratë e pensionistëve të Poliçanit. Persona ende të paidentifikuar janë futur në ambientet e filialit të postës, duke marrë nga kasaforta 1.5 milionë lekë. Ngjarja ndodhi dje rreth orës 04:00, kur autorët depërtuan duke çarë murin e lokalit që ishte ngjitur me postën. Sipas policisë, ata kanë hapur me levë derën e lokalit duke shembur më pas një pjesë muri për të kaluar në ambientet e postës. Me mjete mprehëse, grabitësit kanë hapur kasafortën ku ndodheshin lekët që kishin ardhur nga Tirana një ditë para se të ndodhte ngjarja. Policia e Poliçanit u njoftua dje në mëngjes nga pronari i lokalit nga ku kishin vepruar autorët. Ai konstatoi se dera ishte hapur me mjete të forta dhe më pas muri i lokalit ishte shembur. Policia mbërriti në vend dhe konstatoi një vrimë të madhe në mur dhe kasafortën e postës që ishte shqyer. Punonjësit e postës konfirmuan për grupin e hetimit se autorët kishin marrë 1.5 milionë lekë, të cilat pak orë pas grabitjes do t’u shpërndaheshin pensionistëve të qytetit. Policia ka dyshime se personat mund të jenë ndihmuar nga punonjës të postës, për shkak se ata ishin në dijeni të parave që ishin transferuar nga kryeqyteti vetëm disa orë më parë. Personat dyshohet se kanë vepruar gjatë natës, kur në afërsi të postës nuk ka pasur ndonjë patrullë policie. Mësohet se posta nuk kishte rojë, ndërsa në rastet e furnizimit me paratë e pensionistëve, rreth saj qarkullonin patrullat e rendit herë pas here. Situata është ndërlikuar dje kur që në orët e para të mëngjesit janë dukur pensionistët e parë, me qëllim për ta marrë “rrogën” e tyre. Të informuar më pas nga njëri-tjetri, në dyert e postës erdhën një numër i konsiderueshëm të të moshuarve të cilët kërkuan sqarime se çdo të bëhej me paratë e tyre. Në qytetin e Poliçanit, përveç pensionit të pleqërisë marrin pensione të parakohshme dhe ish-punëtorët e Kombinatit. Kjo është vjedhja më e madhe që ka ndodhur në këtë qytet. Policia ngriti menjëherë një grup hetimi ndërsa shoqëroi 12 persona. Ata janë punonjës të bankës, pronari i lokalit nga ku grabitësit janë futur, si dhe persona të tjerë të dyshimtë. Por gjer në orët e vona të darkës, policia nuk kishte ndonjë të arrestuar për këtë ngjarje. Sipas burimeve, një nga pistat më të mundshme të hetimit është fakti se personat e njohin mjaft mirë ambientin e postës dhe se ata kanë qenë në dijeni të mbërritjes së parave nga Tirana. Bashkëpunimi me persona të brendshëm të postës është i mundshëm sipas policisë, bazuar kjo edhe në mekanizimin e ngjarjes. Dje blutë ngritën postblloqe në hyrje-daljet e qytetit.

Në Lezhë u grabitën 5 milionë
Më 12 mars 2009 u grabitën 5 milionë lekë para filialit të një banke në Lezhë. Katër persona pritën derisa punonjëset e postës morën paratë e pensionistëve dhe në momentin që ato dolën nga filiali ua morën. Elton Gjini, “koka” e grabitjes, u arrestua pak ditë më pas në një hotel në Golem të Kavajës. Pak ditë më pas, u vetëdorëzua autori i dytë, Enver Diva. Në Velipojë u arrestua 36-vjeçari Pjetër Marku, ndërsa në kërkim është Florind Marku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›