E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati i shembur, banorët dëshmi për tragjedinë

 

GJIROKASTER – Me dëshmi reale, ankth dhe lot është karakterizuar seanca e dytë gjyqësore në ngarkim të 7 të akuzuarve për rrëzimin e pallatit pesëkatësh dhe vdekjen e 3 banorëve, 9 nëntorin e shkuar. Ata që kanë përcjellë detaje nga më të hollësishme duke shkaktuar herë-herë ilaritet në sallën e gjyqit, kanë qenë banorët e pallatit ku për të parën herë, kanë dhënë fakte të përjetuara para, gjatë dhe pas ndodhjes së tragjedisë. Idajete Tena, njëra prej banoreve të pallatit, në cilësinë e dëshmitarit është shprehur para trupit gjykues të kryesuar nga Desard Avdulaj, se tragjedia ndihej se do të vinte shpejt. Prokurori i çështjes Arben Pasho e pyeti dëshmitaren nëse ishte ankuar për këtë shqetësim, por ajo u përgjigj se përveçse bashkëshortit të vet, tek askush nuk kishte përcjellë shqetësimin. E vetmja dëshmitare, e cila përcaktoi në mënyrë skematike vendosjen e pilotave në pallatin shumëkatësh, që pretendohej të ngrihej para pallatit të rrëzuar, Idajete Tena, ka rrëfyer se fillimi i nguljes së këtyre pilotave ndodhi nga jugu në veri të rrugës nacionale Gjirokastër-Kakavije, ndërkohë që shembja e pallatit erdhi në zonën ku nuk kishin mbërritur pilotat e nëndheshme për të mbajtur peshën e masivit shtufor. “Nëse do të kishte filluar ngritja e pilotave në krahun e kundërt, atëherë do të ishte shmangur tragjedia”, janë shprehur specialistët. Dëshmitarja në fjalë është shprehur se një natë para tragjedisë kishte parë radhë të gjata të automjeteve transportues që evadonin masivet shtufore për të hapur themelet ndërkohë që ka mohuar faktin se ndonjë përfaqësues i firmës së ndërtimit t’i ketë paralajmëruar ata para ndodhjes së tragjedisë për rrezikun nga shembja e pallatit. Dëshmitarë të tjerë pohuan mbi shenjat që kishte dhënë tragjedia, por asnjë masë nuk u mor deri në rrëzimin e godinës. p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›