FSHF-ja në krizë, tani mbetet dhe pa sekretar
Jetmir Halilaj
Ivankoviçi nuk është i vetmi që ka vendosur të “braktisë” FSHF-në, për një ofertë më të mirë financiare. Edhe Arben Bici, ish-sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, ka vendosur t’i japë fund aventurës së tij në shtëpinë e futbollit shqiptar, pas një oferte shumë të mirë që ka marrë nga një kompani private. Ai ka dhënë dorëheqjen dje, duke shtuar një problem më shumë në radhët e FSHF-së. Tani presidenti i saj, Armand Duka, por edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv duhet të mendojnë jo vetëm për të gjetur një trajner për Kombëtaren shqiptare të futbollit, por për të gjetur edhe pasardhësin e numrit 2 të këtij institucioni. Bici nuk ka dashur të japë shumë detaje në lidhje me largimin e tij, por burime zyrtare nga federata bëjnë të ditur se ai e ka marrë këtë vendim për motive personale. Mësohet se atij i është bërë një ofertë pune shumë joshëse nga një kompani private dhe ka vendosur që t’i japë fund aventurës së tij në FSHF. Prej kohësh ai i kishte bërë të qartë presidentit të institucionit të futbollit se dëshironte të largohej, por ky i fundit kishte tentuar ta bindte që të qëndronte. Mësohet gjithashtu se, Duka i ka kërkuar në mënyrë shoqërore ish-asistentit të tij që të mos largohej, edhe në formë nderi, por ai e ka pasur të pamundur t’i thoshte “jo” një oferte shumë të mirë të bërë nga një agjenci private. Ashtu si edhe për trajnerin e Kombëtares, FSHF-ja, as që e ka idenë se kush mund të jetë pasardhësi i Arben Bicit. Kanë filluar të qarkullojnë emra nga më të shumtit, pjesa dërrmuese e të cilëve nuk kanë lidhje me sportin dhe aq më pak me futbollin. Largimi i Bicit nga federata, nuk ia ka lehtësuar aspak punët Dukës, i cili në konfidencë ka pohuar se i është shtuar një tjetër dhimbje koke tani. Bici konsiderohej si një ndër më të besuarit e presidentit të FSHF-së dhe ishte padyshim një ndër zyrtarët më të përkushtuar të administratës, madje shpesh vartësit e tij nuk i kursenin batutat për shkak të kohës së shumtë që Bici kalonte në zyrën e tij. Ai e mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm prej shumë vitesh.