E Diel, 1 Nëntor 2026

Papavrami: Po përkthej një roman të ri të Kadaresë

 

Alma Mile

Jo vetëm muzikë, por edhe letërsi, edhe kinema... Jeta e Tedi Papavramit është një udhëtim i pandërprerë, nga njëra skenë në tjetrën, por edhe nga njëra sprovë në tjetrën. Mes një stine të ngjeshur koncertore, ditën e shtunë violinisti jep një koncert në Tiranë. Është një udhëtim muzikor nëpër Evropë, të cilin e sjell i shoqëruar nga Orkestra e TKOB-it. Edhe pse vetëm për pak kohë në Tiranë, Papavrami gjen kohë për të treguar për koncertin, për angazhimin e tij në kinema, për pjesët “erotike” në filmin “Kronikë provinciale”, që sapo u shfaq në ekranin e madh, por edhe për përkthimin. Sapo ka përfunduar “Darkën e fundit” të Ismail Kadaresë dhe tani ka në duar një roman të ri të shkrimtarit, që vendoset në vitet e diktaturës komuniste.
Keni ardhur në Tiranë për një udhëtim muzikor nëpër Evropë...
Koncerti ofron një program interesant, që përfshin një udhëtim përmes muzikës në disa vende të Evropës. Orkestra do të luajë një pjesë nga Nikolla Zoraqi dhe Dvorzhak, ndërsa së bashku do të luajmë “Poeme” nga Chausson, duke përfaqësuar Francën, “Campanella” nga Paganini, “Zingaresca” nga Sarasade, që sjell Spanjën, por duke qenë frymëzuar nga folklori cigan i Evropës Lindore, ka lidhje me Çekinë, Hungarinë... dhe “Romance” nga Beethoven, që edhe pse gjerman, është shumë universal me himnin e Evropës, Simfoninë nr. 9. Janë pjesë repertori, të njohura për publikun. Programi të cilin e kemi menduar bashkë me mjeshtrin Zhani Ciko, ka pjesë virtuoze, por edhe romantike, apo të thella e me rrëmbime.
U bënë vite që nga hera e fundit që keni luajtur me orkestrën e TKOB-it, si ju duket tani?
Sot pata provën e parë dhe shkoi shumë mirë. Kisha luajtur gati 8 vjet më parë me Orkestrën e Teatrit të Operës dhe Baletit pjesën “Rondo capriçioso”, për një emision televiziv që realizonte Vera Grabocka. Sot e shoh në rritje. Më bëri përshtypje shumë të mirë. Dirigjenti Alkis Baltas, gjithashtu është ai i duhuri, për të drejtuar një program delikat. Kështu që shpresoj të dalë diçka e bukur.
Përveç pasionit të hershëm, violinës, prej vitesh edhe përktheni, çfarë keni tani në duar?
Sapo mbarova romanin “Darka e gabuar”, që do të dalë në Francë në muajin shtator. Ma dërguan të korrigjuar për të bërë leximin e fundit dhe tani kam nisur një vepër të fundit, që nuk është botuar akoma.
Si është komunikimi juaj me shkrimtarin?
Asgjë e veçantë. Ismaili e kupton që ritmi im nuk mund të jetë shumë i shpejtë, si i një njeriu që merret vetëm me përkthim. E di që i kam afatet e gjata dhe m’i dërgon veprat ende të pambaruara, 20 apo 30 faqet e para, që unë të kem mundësi të filloj nga puna, edhe pse më vonë, ai mund të ndryshojë ndonjë gjë në to. Ndonjëherë bëj ndonjë listë fjalësh, që nuk i gjej në fjalor, kur nuk kuptoj diçka, apo kam ndonjë dyshim, apo kur ka fjalë të formuara, që duhet t’i kuptoj mirë...
Si lexues, si do ta vlerësonit “Darkën e fundit”, aq më tepër që Kadare është shprehur se ky është romani i tij i fundit?
Unë nuk e besoj më këtë. Që kur thotë kështu, po shkruan vepra vërtetë të forta, tronditëse. Edhe para “Darkës”, më tha të njëjtën gjë. Tani kam në duar romanin tjetër, i cili më mbërtheu menjëherë. “Darka” më ka pëlqyer shumë dhe është një nga romanet më të fuqishëm të Kadaresë, sepse kombinon të kaluarën e tij, me forcën e mitit, të përshkrimit të qytetit të simboleve, por me një konstrukt më modern se ato të viteve ’70-’80, që unë i adhuroj.
Nëse mund të na zbulonin diçka nga romani i ri i Kadaresë...
Me Ismailin nuk i dihet asnjëherë. Sepse fillon diku dhe mund të kalojë në kohëra të tjera. Pjesa që po lexoj zhvillohet në kohën e komunizmit. Fillon me një njeri që kalon sheshin e madh në Tiranë dhe futesh në mendimet e ankthet e tij... E fillova me idenë që të lexoj vetëm një faqe e ta përkthej, por i lexova të 30-at, sepse ishte vërtet shumë tërheqës.
Sa “devijon” përkthimi nga vepra origjinale?
Prej vitit 2000, kur nisa të përkthej Kadarenë, qëllimi është t’i qëndroj sa më afër veprës. Është e vërtetë që gjuha frënge ka një tjetër traditë letrare, shumë më të hershme se ajo shqiptare. Është më e stërholluar, metaforat janë përdorur qysh 300 vjet më parë..., ndërsa shqipja edhe pse i ka mundësitë njëlloj, lidhjet metaforike i ka më popullore. Kur Kadare flet për Gjirokastrën, përdor shprehje dhe një gjuhë karakteristike. Unë që jam shqiptar e kuptoj menjëherë, por në përkthim më duhet të gjej shprehje popullore franceze, të krahasueshme. Megjithatë ndryshimi nuk është shumë i madh. Nuk i jap shumë liri vetes.
Të qenurit violinist i “disiplinuar” si ju, sa ndihmon në procesin e përkthimit?
Ndikon në organizim. Duke qenë se jam njeri mjaft i organizuar në punë dhe përgatitjen time si muzikant, duhet të gjej kohën në momentet e lira. Çdo ditë i kushtoj rreth një orë, apo një orë e gjysmë përkthimit. Vendosem në ndonjë kafene, pasi në të kundërt mbetem gjithë ditën i izoluar mes violinës dhe përkthimit, kështu që kjo më lejon të shoh pak jetën rreth e qark. Por kërkon vullnet dhe punë sistematike, pasi po u akumulua ngarkesë, atëherë bëhet e vështirë, sidomos për mua që nuk kam kohë.
Sapo është shfaqur në kinema filmi “Kronikë provinciale”, ku ju luani rolin e piktorit...
Nuk e kam parë ende, por kam shumë mbresa nga koha e xhirimit. Ishte takimi me njerëz, të cilët i kisha parë si spektator përmes televizionit, kur isha fëmijë. Si në rastin e aktorit Robert Ndrenika, që është mik i babait tim, që quhet po Robert dhe luan rolin e tij në film. Apo të qenurit i rrethuar nga fytyra shumë familjare, por me një eksperiencë të lartë profesionale dhe ti merr kënaqësi të veçantë.
Ju dukej vetja çuditshëm në një ambient të tillë?
Ishte më e çuditshme eksperienca ime e parë në filmin që luajta me Rupert Everett dhe Catherine Deneuve. Duke qenë hera e parë dhe përballë personaliteteve të mëdha, ndihesha vërtet i çuditshëm. Por mësohet njeriu me këto situata. (Përvoja e aktorit është tjetër gjë, të cilin unë nuk e kam). Por kur ndodhesh përballë aktorëve të shkëlqyer si Robert Ndrenika, të duket se po e jeton vërtet këtë situatë. Skenari ishte shumë i bukur dhe kjo ishte një nga arsyet pse e pranova këtë rol. Pastaj pati disa probleme, disa presione, për të mos fyer një fe të caktuar. Kështu që u bënë ca ndryshime në tekst dhe për mendimin tim pati humbje në anën më pikante dhe humoristike të dialogëve.
Në film ka edhe ndonjë pjesë erotike, ishte e sikletshme t’i realizonit?
Nuk është as e këndshme dhe as e sikletshme. Nuk kishte ndonjë pjesë shumë erotike. Në të vetmen që mund të quhet e tillë, unë nuk isha krejt i zhveshur dhe Arta ca më pak se unë. Për aktorët që luajnë nuk ka fare erotizëm në këto raste. Është një gjë kaq e ftohtë... Ndoshta vërtet këtu vazhdon të jetë pak tabu kjo gjë dhe çuditem se si ekipi rreth e rrotull mund të mendonte se vërtet aty po ndodhte ndonjë gjë e madhe eksituese. Sinqerisht nuk ndodh asgjë, sepse është e gjitha artificiale... Nuk ka kënaqësi kur je i rrethuar nga 10 veta, aq më tepër me një njeri që e di se edhe ajo e bën për punë, ndërsa ti je i angazhuar që të dukesh sa më i besueshëm. Edhe në jetën e zakonshme, mjafton një mendim për të larguar kënaqësinë, jo më në rrethana të tilla..
Do të riktheheshit sërish në kinema?
Në kinema, si për mirë, apo për keq merita i shkon regjisorit. Një regjisor i mirë, në film, arrin të nxjerrë atë që do nga çdo aktor. Tek filmi me Everett dhe Deneuve, edhe pse kishte një buxhet shumë të madh, duke qenë se u punua shpejt, ka mungesa. Edhe pse aktorë shumë të mirë, nuk janë në kulmin e tyre në këtë film. Kështu që aktori, sado gjenial të jetë mbetet i pafuqishëm, sepse varet nga drita, nga kamera, nga regjisori... Nëse do të kishte ndonjë projekt, do të më pëlqente, por kjo varet nga ata, nëse e shohin të përshtatshme që unë të jem. Nuk është e njëjta gjë si me muzikën, që kur merr diçka përsipër, je ti ai që gjykohesh dhe nuk ke një regjisor pas, që mendon gjithçka.
E mendoni ndonjëherë të ktheheni në Shqipëri përgjithmonë?
Nuk e mendoj një gjë të tillë, sepse do të ishte hipokrizi. Kam ikur shumë i ri. Kur u larguam dhe kërkuam azil politik, kur na quajtën “armiq të popullit” dhe nuk menduam se do ktheheshim më, se komunizmi do binte, kam vuajtur shumë. Pata dhimbje, pata nostalgji, pastaj kalova në një moment tjetër. Ndoshta është një lloj anestezie për të mbrojtur veten, por tanimë nuk e kam më atë nostalgji. Kam kënaqësinë të flas shqip, të dëgjoj për artistët shqiptarë, të shoh që gjërat ecin, por nuk kam ndonjë lidhje shpirtërore. Dhe nuk kam lidhje shpirtërore me asnjë vend tjetër. Për mua ka rëndësi vendi më praktik dhe më i qetë. Ndaj jam larguar edhe nga Parisi, ku kam jetuar për vite dhe jam vendosur në Gjenevë. Jam shumë i lidhur me natyrën, nuk më pëlqejnë shumë zhurmat. Këto janë gjërat kryesore për mua.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›