E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE: Vendet e Ballkanit të mos abuzojnë me liberalizimin e vizave


Komisioni Europian i ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit, që së fundmi morën të drejtën e hyrjes pa viza në zonën Schengen, që t'u thonë qytetarëve të tyre të mos abuzojnë me sistemin. Kjo deklaratë vjen pas njoftimit nga Belgjika të rritjes së dukshme të azilkërkuesve. Sipas medieve belge, rreth 300 shtetas të Serbisë dhe Maqedonisë, kryesisht shqiptarë, kanë paraqitur kërkesa për azil me pretendimin se janë të përndjekur. Duke reaguar ndaj këtyre njoftimeve, zëdhënësi i Komisionit, Michele Cercone, tha se "pjesa më e madhe e aplikimeve për azil janë bërë për shkaqe ekonomike dhe kanë shumë pak shanse të pranohen". Cercone kërkoi me tej me insistim nga "vendet që së fundi përfituan nga liberalizimi i vizave, të bëjnë përpjekjet e nevojshme për të shmangur keqkuptimin apo keqpërdorimin nga shtetasit e tyre të lirisë së lëvizjes në BE pa viza". "Kjo liri shoqërohet nga një përgjegjësi dhe është vendimtare të mos abuzohet me rregullat e qarta për të cilat është rënë dakord bashkarisht", tha zëdhënësi i Komisionit Europian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›