Australi, përmbytje masive për shkak të reshjeve
Vazhdojnë përmbytjet masive në disa zona të Australisë. Qyteza Charleville në Queensland, është tërësisht nën ujë si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të regjistruara prej tre ditësh. Dëmet materiale janë të pallogaritshme, raportojnë mediat lokale. Rreth 500 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe i kanë kaluar netët në zona më të sigurta. Po sipas mediave lokale, informohet se njerëzit po presin përmirësimin e kushteve atmosferike për t'u kthyer në banesat e tyre, për të pastruar, pasi shumica e tyre janë përmbytur.
Autoritetet lokale njoftuan se niveli i përmbytjeve në Charleville ka arritur kulmin , ndërsa zyra e meteorologjisë saktësoi se reshjet kanë ardhur si pasojë e sezonit të shirave që po zhvendoset drejt Australisë jugore.