E Diel, 1 Nëntor 2026

BE: Vizat, të liberalizohen më 2009

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian kanë miratuar, në mbledhjen e djeshme, një dokument që përkrah integrimin e vendeve të Bashkimit Evropian, duke bërë thirrje për një liberalizim të vizave në vitin e ardhshëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë, vende të cilat nuk janë në axhendën e 2009-ës. Por BE bën thirrje që integrimi do të varet nga arritjet e vendit tonë në kushtet e vëna, ku pika më e rëndësishme është realizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme. Këshilli i BE-së, i cili është mbledhur në një sesion dyditor, pra dje dhe sot, ka miratuar një dokument të posaçëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku një për një flet për Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë, Bosnjën dhe Kosovën. Në deklaratën për Ballkanin Perëndimor, duke iu referuar Shqipërisë, Ministrat e Jashtëm të BE përshëndesin progresin e arritur në një numër kërkesash, mes të cilave reformat elektorale, përmirësimit në klimën e biznesit dhe qeverisjes së vendit. BE nënvizon gjithashtu se respektimi i shtetit ligjor, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë pjesë e përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt integrimit. Në raport kërkohet forcimi i kapaciteti administrativ, si një sektor që kërkon reforma të menjëhershme dhe të vendosura. Këshilli i Ministrave inkurajon Shqipërinë që të luajë një rol pozitiv dhe ndërtues në stabilitetin e rajonit. Bashkimi Evropian thekson në deklaratën për Ballkanin Perëndimor se është shumë e rëndësishme qeveria shqiptare të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në vitin 2009. Në dokument inkurajohen hapat dhe reformat që janë bërë dhe duhet të ndërmerren në shtetin më të ri të botës, Kosovë. Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian thanë se në Kosovë është bërë përparim në disa fusha, siç është miratimi i shumë ligjeve, por vërejtën se në Kosovë "duhet të forcohen institucionet e shtetit juridik dhe mbrojtja e pakicave". Në Kosovë duhet të "forcohet lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe të përmirësohen kushtet e jetesës", thuhet në konkluzionin e takimit të djeshëm të Brukselit. Këshilli i ministrave ka ritheksuar se "Bashkimi Evropian është i gatshëm të kontribuojë për zhvillimin ekonomik dhe politik të Kosovës, për një perspektivë të qartë evropiane të rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›