BE: Zgjedhjet përfunduan, opozita të mos pengojë reformat

Këshilli i Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri ka konfirmuar dje prerë se bojkoti s’është politikë e Bashkimit Evropian e se pas përfundimit të zgjedhjeve vendore, opozita duhet t’i kthehet dialogut, për të ndihmuar procesin e integrimit
“Bashkimi Europian kërkon nga partitë politike shqiptare t’i rikthehen dialogut institucional në funksion të integrimit Europian të vendit”. Ky ishte konkluzioni i takimit të tretë të Këshillit të Stabilizim -Asociimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, që u mbajt dje në Bruksel.
Takimi u drejtua nga Sekretari i Shtetit për çështjet e BE, Ministria e Punëve të Jashtme, Poloni, zoti Dowgielewicz dhe me pjesëmarrjen e komisionerit Stefan Fule, përfaqësues i Komisionit Evropian dhe Miroslav Lajçak i dërguari i posaçëm. Shqipëria u përfaqësua nga Edmond Haxhinasto, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme si dhe ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu
Komisioneri për Zgjerimin Stefan Fyle, është shprehur i prerë se zgjedhjet konsiderohen një kapitulli i mbyllur, ndërsa ka ardhur momenti që Shqipëria të plotësojë 12 rekomandimet e Komisionit Evropian si kusht të vetëm dhe përfundimtar për marrjen e statusit të vendit kandidat në fund të vitit. Komisioneri Fule ka vënë theksin veçanërisht te reforma zgjedhore, e cila sipas tij, duhet të garantojë integritetin e proceseve të ardhshme zgjedhore.
“Tani që Kolegji Zgjedhor ka përmbyllur misionin e tij, është koha kur forcat politike të vendosen në një dialog, dhe sidomos të jenë pjesë e institucionit kyç në demokraci, që është parlamenti. Pra, pasi ky proces tashmë konsiderohet i përfunduar, së pari pres që partitë politike të reflektojnë për 12 rekomandimet e Komisionit Evropian. Tashmë, dialogu duhet të ndiqet në Parlament në mënyrë progresive dhe pozitive. Mendojmë se reformat politike dhe kushtetuese në vend duhet të ndiqen njësoj si reformat e tjera, të cilat gjithashtu janë të rëndësishme. E dimë që ka pasur marrëdhënie polarizuese në politikë, lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Duhet të inkurajojë shqiptarët, që të kenë besim tek reformat, që do të implementohen. Shqipëria mbetet në agjendën e Evropës dhe KE. Liderët shqiptarë duhet të tregojnë se janë të interesuar të punojnë për reformën dhe agjendën e BE. Partitë politike duhet të nisin përgatitjet për reformimin e sistemit elektoral”, u shpreh komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.
Komisioneri nënvizoi se opozita në Shqipëri duhet të bëhet pjesë e institucioneve demokratike. Ai tha se s’do donte që Shqipërisë të mos i jepej statusi i vendit kandidat sipasojë e lojërave politike.
“Opozita të kthehet në parlament dhe të marrë pjesë në komisionet parlamentare dhe seancat e Kuvendit. Ka mjaft ligje që kanë nevojë për suportin e opozitës. Dhe midis këtyre ligjeve ka rekomandime të Komisionit Evropian, të cilat duan konsensusin e të gjithë palëve politike. Bojkoti i Kuvendit dhe mos marrja pjesë në institucione është kundër linjës dhe aspiratës së integrimit të Shqipërisë. Bojkoti nuk është politikë e Bashkimit Evropian. Prandaj shpresoj shumë që opozita të kthehet në parlament. Kjo është më e mira për Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqipëria ka disa pika që duhet t’i përmbushë në mënyrë që t’i hapet rrugë dhënies së statusit. Dy partitë e mëdha politike duhet të rrisin besueshmërinë ndaj institucioneve demokratike”, kujtoi Fule.
Duke këmbëngulur mbi rëndësinë e përmbushjes së reformave dhe veçanërisht të 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, Fule tha se shpresonte që marrja e statusit kandidat të mos pengohej nga sjellja e politikës.
“Ne vërejmë progres, por Shqipëria dhe faktori politik atje duhet të marrë seriozisht rekomandimet e Bashkimit Evropian. Pas pak muajsh Komisioni do të përgatisë progres-raportin për vitin 2011-të dhe deri në atë kohë, duhet të jenë realizuar 12 rekomandimet. Situata aktuale nuk duket shumë shpresë dhënëse, pasi opozita nuk miraton reformat me mazhorancën. Ne mbetemi me shpresën se progresi i integrimit Evropian nuk do të pengohet nga sjellja e politikës”, deklaroi komisionari Fule.
Për Komisionerin Fyle, Shqipëria zë një vend kryesor në axhendën e Bashkimit Europian. Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian theksoi se institucionet europiane do të vijojnë të asistojnë Shqipërinë. Gjithashtu, Fule kërkoi që të mos spekulohet me progres – raportin e KE, në lidhje me faktin se çfarë do të përmbajë raporti, i cili do të publikohet nga Komisioni në fillim të muajit tetor. Lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili legjitimoi fitoren e z. Basha në zgjedhjet e Tiranës, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule tha se Bashkimi Evropian nuk mund të komentojnë vendimet e gjyqësorit, ndërsa tha se shpresonte që të njëjtën gjë të bënte dhe politika shqiptare.
Deklarata e takimit të 3-të të Këshillit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri
Këshilli i Stabilizim-Asociimit (KSA) ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimi Evropian mbajti takimin e tij të tretë më 19 korrik 2011.
Në emër të Përfaqësuesit të Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, takimi u drejtua nga zoti Doëgieleëicz, Sekretari i Shtetit për çështjet e BE, Ministria e Punëve të Jashtme, Poloni.
Morën pjesë, Komisioneri Stefan Fule përfaqësues i Komisionit Evropian dhe
Miroslav Lajçak i dërguari i posaçëm.
Shqipëria u përfaqësua nga z. Edmond Haxhinasto, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme si dhe ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.
Këshilli i Stabilizim Asociimit theksoi konkluzionet e Këshillit të BE-së të 14 dhjetorit 2010, e cila mirëpriti opinionin e Komisionit për aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Këshilli pranoi progresin e bërë në përmbushjen e kritereve politike të përcaktuara nga Këshilli Europian i Kopenhagenit dhe kërkesat për procesin e Stabilizim-Asociimit. Këshilli vuri në dukje se Shqipëria është histori në zbatimin e detyrimeve që lindin nga dokumenti i Stabilizim-Asociimit.
Këshilli vlerësoi se Shqipëria ka arritur një shkallë të caktuar të stabilitetit makroekonomik dhe do të jetë në gjendje të marrë përsipër detyrimet e anëtarësimit afat – mesëm në shumicën e fushave. Këshilli vuri në dukje se Shqipëria do të duhet të intensifikojë përpjekjet e saj, në veçanti në zbatimin e dymbëdhjetë prioriteteve kyçe të përcaktuara në Opinionin e Komisionit për Shqipërinë.
Këto prioritete kyçe të përqendrohen në stabilitetin e institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit,reformën gjyqësore, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën zgjedhore, reformën e administratës publike, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut duke përfshirë të drejtat pronësore.
Këshilli i inkurajoi fuqimisht partitë politike për të kapërcyer bllokimin e tanishëm politik, duke krijuar një dialog konstruktiv dhe të qëndrueshëm politik për të siguruar funksionimin e duhur të parlamentit.
Më tej, Këshilli rikujtoi se hapja e negociatave për anëtarësim do të shqyrtohet nga Këshilli Evropian, në përputhje me praktikën e vendosur, pasi Komisioni ka vlerësuar se Shqipëria ka arritur shkallën e nevojshme në përputhje me kriteret e anëtarësimit.
Këshilli theksoi konkluzionet e Këshillit të BE-së të datës 20 qershor 2011, i cili theksoi se BE-ja e kishte ndjekur nga afër zgjedhjet vendore të 2011-ës dhe vuri në dukje se ato u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë transparente dhe konkurruese, edhe pse me vështirësi procedurale.
Megjithatë, situata në Tiranë, mbeti një çështje shqetësuese. BE-ja kritikoi përkeqësimin e gjendjes politike dhe rritjen e tensioneve që pasuan zgjedhjet dhe zhvillimin e procesit.
BE-ja, ndërsa vë në dukje vendimet nga Kolegji Zgjedhor, theksoi se është thelbësore që procesi zgjedhor, duke përfshirë edhe procedurën e ankesave dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, duhet të përfundojë me transparencë, në mënyrë të pavarur dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor ekzistues.
“Është gjithashtu thelbësore për të gjitha palët, të njohin sundimin e ligjit mbi çdo interes tjetër”. Bashkimi Evropian i bën thirrje të gjithë liderëve politikë për të mbështetur finalizimin e procesit zgjedhor me qetësi, në mënyrë konstruktive dhe me një fokus në të ardhmen evropiane të vendit.
BE-ja do të ndjekë nga afër vlerësimin e procesit nga misioni i OSBE/ODIHR.
Gjithashtu, BE-ja u bëri thirrje Qeverisë dhe opozitës, që në bashkëpunim me shoqërinë civile, të bien dakord mbi reformën zgjedhore të plotë, duke trajtuar të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR në vitin 2007, 2009 dhe 2011.
BE-ja vuri në dukje synimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës për t’i kërkuar Komisionit të Venecias për mendim se si të shmangen situata të ngjashme në të ardhmen zgjedhjeve.
Për më tepër, BE-ja i bëri thirrje qeverisë dhe opozitës, që urgjentisht të
rivendosnin dialogun politik dhe për të kapërcyer bllokimin e gjatë politik. Ky
dialog do të ishte i domosdoshëm për funksionimin normal të një shoqërie demokratike dhe institucionet e saj, duke përfshirë edhe funksionimin efektiv të Parlamentit, si dhe për avancimin e integrimit evropian të vendit.
BE-ja i kërkoi autoriteteve shqiptare për të ripërtërirë dhe për të forcuar përpjekjet në axhendën e reformave dhe zbatimin e tij. Këto janë thelbësore për të arritur shkallën e nevojshme në përputhje me kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë dymbëdhjetë prioritetet kryesore të identifikuara në Opinionin e Komisionit Evropian në nëntor 2010 mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. Vetëm me përmbushjen e prioriteteve kyçe Shqipëria do të jetë në gjendje për të ecur përpara drejt BE-së, në përputhje me konkluzionet e Këshillit të dhjetorit 2010.
Përsa i përket kritereve ekonomike, Këshilli i Stabilizim Asociimit theksoi se Shqipëria ka bërë përpjekje të mira për krijimin e një ekonomie tregu funksionale dhe duke bërë të mundur përballimin e presionit konkurrues.
Mbi çështjen kryesore të Shqipërisë, përafrimin e legjislacionit dhe kapaciteteve me standardet evropiane, Këshilli përshëndeti progresin e bërë gjatë vitit të kaluar në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Tatimet për automjetet e përdorura dhe aplikimin e tarifave rrugore janë në një linjë me MSA-në.
Këshilli përshëndeti rolin konstruktiv të Shqipërisë në politikat rajonale dhe fqinjësisë së mirë.