E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur heshtin çimkat, ngjiren gojëligat

20-07-2011 / Nga Kostaq Xoxa

“Çimkat” është një fjalë që ka shtuar numrin e neologjizmave të leksikut tonë të muajve të fundit. Mbase edhe pak më parë. Askujt nuk ia kanë prishur gjakun te ne, ndonëse kanë kuptimin e përgjuesve; më troç, të spiunëve. Për dashamirët e etimologjisë, mund të thuhet se prejardhja e fjalës i përket kohës së diktaturës, e cila s’e kishte për turp që spiunimi të bëhej një dukuri e kohës. Madje, sipas kritereve të njeriut të ri, alla Leifen, apo si Pavlik Morozovi në shtetin bolshevik stalinist, duhej ta kishe për nder që të merrje për model Morozovin, në Bashkimin Sovjetik. Statuja e Pavlikut ishte e kudogjendur në shkollat e BS, duke filluar nga  ato më të ulëtat e gjer në universitet. Meqë për njeriun e ri janë mbushur shkrimet e realizmit socialist shqiptar, Enverit nuk i cenohej fort namuzi që të flitej mbyllurazi, por edhe haptas, se spiunllëku ishte nxitur edhe përbrenda familjes. Qëllimi justifikon mjetet. Kësisoj babai dhe mamaja që s’donin t’ia shihnin sytë Enver Hoxhës, në shtëpi i flisnin fëmijës për xhaxhin Enver, që e kishte gojën me sheqer! Ja, pra, qëllimi i jetësuar, sipas asaj çka thënë Makiaveli, në “Princin” e tij.
Pas rrëzimit të diktaturës, në vendin tonë të dhunës më mizore të komunizmit shtetëror në Europë, mbeti ajo trashëgimia që në monarkitë franceze shprehej me togfjalëshin “Le roi est mort; Vive le roi”. Kjo ishte një shpallje e vdekjes së mbretit, por jo e monarkisë.
Me rënien e komunizmit, te ne ra sistemi por mbeti nostalgjia për enverizmin. Sikur të ishte bërë destalinizimi në vitin 1956, - si në vendet e tjera të komunizmit në pushtet në Europë, - do të shkulej edhe në Shqipëri ajo farë e keqe në trurin e indoktrinuar të elementëve të  regjimit të hurit e të litarit. Fjala pezhorative “spiun” mori pas nëntëdhjetë e nëntës një tingëllim më harmonik, më pak kakofonik sesa spiunët e qoftëlargut, disa me pagesë, të tjerë me një trysni barbare, për të mos folur edhe për një takëm që e kishin si për hoby, falë karakterit të tyre të përdhosur.
Kështu Spartak Ngjelës iu duk sikur pati zënë qiellin me dorë, që kishte regjistruar  doktor Berishën, në një muhabet telefonik ku provokatori Ngjela i bënte karshillëk Berishës, ndonëse doktori i kishte dhënë mandatin e deputetit, si të inkuadruar në P. Demokratike. Por ja që uthulla e fortë prish fuçinë e vet. Çdokushit që dëgjonte transmetimet e tangërllëqeve të çimkës Taku në emisionet televizive të majta, mund t’i fanepsej ai kapërcimi akrobatik i çimkës hu më hu, nga PD-ja në partinë e mocionistëve, pastaj si monarkist (vajti edhe në Afrikën e Jugut, në një delegacion për të treguar devocionin e tij), pastaj sërish në PD, si zëdhënës i kësaj partie. Së fundi, si kryetar partie me aderentë vetëm anëtarët e familjes së vet. Pardon. Pa anëtarë familjeje, se Spartaku nuk ka familje. Kuptohet se si individ kurrën e kurrës nuk bëhej dot deputet, siç u provua kur u vetëshpall si kryetar i një partie me emër kumbues, ku dilnin në evidencë fjalët si drejtësi e diçka tjetër. Me që s’e mbaj mend, ajo fjala tjetër, pa gabim mund të zëvendësohej që dyfjalëshi të merrte trajtën “drejtësi e anarki”!
Është thënë nga ekspertë të shquar statistikash se neofitët, pra ndërruesit e besimit apo të partisë,  janë më të rrezikshëm se militantët më fanatikë. Sepse janë ekstremistë të xhindosur. “Do ta rrëzojmë regjimin brenda dy ditëve(!)” – ulërinte tërë gjestikulacione, ky “pasardhës i Solonit”, që nuk njihte asnjë ligj.   Dhe ky slogan marroq i përgënjeshtruar në çdo zhurmnajë rrugore, përsëritet pa prâ, si një refren timpançjerrës.
Në ballafaqimin  zgjedhor për bashkinë e Tiranës, Edvini ia kishte marrë arrët Takut. Ndonëse në një intervistë ky i fundit kishte thënë se E. Rama ia kishte vjedhur votat, e kishte lënë, më pas, pa përsëritje këtë shprehje, ndonëse përsëritja është element i stilit të tij të rrëgjuar. Përse u pajtua me atë vjedhjen e parë? Përse i tha derrit dajë, atëherë? Për më tepër ende: tani iu bë vasal atij zanatçiut, Edvinit, që këto lloj vjedhjesh t’ua ngarkonte të tjerëve! A mos kujton se, në një shans ëndërrimtar fatlum, Edvini do ta bënte ministër të Drejtësisë, një anarkist si Taku? Sa për këtë Edi është vetë anarkist dhe e di mirë sesa në pajtim është ligji me antiligjin e rrëmbimeve të pushtetit me dhunë si në atë ’97-n e tregishtorëve dhe të flamujve të huaj në sheshet e zhvatësve të pushtetit me “zgjedhje” domenesh!
***
Tani duket se po vijnë kohë të vështira për sojin e çimkave, të ushqyera mirë në kohën e Enverit; por çimkat të tilla mbetën édhe pas rënies së sistemit të nëmur të shokut Enver. Mbase Rebeka Bruksi e kompanisë së përgjimeve të paligjshme News Corp-it të Robert Murdokut ka marrë pak nga ustallëku i përgjimeve të paligjshme të së majtës sonë të Edvinit. Por këtu te ne Dritan Priftit nuk i hyri gjembi në këmbë për aferat e tij, në të cilin donte të implikonte edhe shefin e vet të partisë, me disa sahate të regjistrimeve të sofistikuara, që dreqi e di se nga i kishte psonisur. Së pari, partia e Edit e kishte batërdisur me propagandën e saj zhurmëmadhe, - para se ta bënte aleat për - milionat që kishte zhvatur, si ministër i Ekonomisë. E njëjta parti kishte dashur t’i punonte edhe një puç në Fier, për t’ia grabitur votat me anë të gjullurdive që kishte përgatitur Gramozi me rrëmujaxhinjtë e tij, të stërvitur për shformim votimesh. Po Dritani dha alarmin në kupë të qiellit, duke kërkuar me celular, siç e pamë në TV, edhe ndihmën e doktorit. Së fundi ia arriti që të mos e linte mandatin t’i shkonte për dhjamë qeni prej militantëve të majtë, që e kishin bërë oborrin e selisë votuese, si “place d’armes” për trysni zhvatjesh votash të pamerituara. Tani, i mallkuari prej PS-së, Prifti, na dalka aleati i kësaj partie, në fushatën zgjedhore në fshatrat e Fierit apo të Lushnjës!
Me anë të veprimtarisë së çimkave majtiste, ministri demokrat Ylli Pango humbi postin e ministrit. Një provokatore iu paraqit në shtëpi, me maniera yshtjeje seksuale. Por ish-ministri energjik nuk e hëngri sapunin për djathë. Vërtet humbi dikasterin, por fitoi një gjyq që u kushtoi miliona skenaristëve me protagonistë çimkat.
Tani, meqë çimkat kanë patentë majtiste, siç e pamë, vijmë te një element thelbësor i këtij  shkrimi. Si edhe në zgjedhjet e 2009-s, ashtu edhe në ato të 8 majit të këtij viti, na u bënë thërrime timpanët e veshit nga ankimet “na u vodhën votat, na u vodhën votat”. Asnjë njeri me mend nuk u beson sloganeve retorike. Përse nuk vunë në vendet kyçe, në Lundër, për shembull, por edhe në vendstrehimet e tjera të kutive të votimit, të përgjojnë me turne dhe me aparate përgjimi, mbase më të mira edhe se ato të Dritanit, atë që paska aftësinë të hapë kutitë e votimit sikur të ishin  teneqe  djathi dhe ta nxirrnin  me emër e me foto  hajdutin politik: – I ka vjedhur votat Filan Fistëku, hoqi kaq fletë, vuri kaq të tjera  në vend të tyre, e ka surratin siç e shihni të riprodhuar, le të japë llogari, tani, përpara gjykatës! Kështu flitet me prova, jo me slogane të gatshme, pa bereqet!
Një rast tjetër: “Janë falsifikuar 70 mijë karta biometrike!”. More gënjeshtar! Nxirri dy, vetëm dy, qoftë edhe një, me emër e mbiemër, pa t’i pranojmë, pastaj edhe 200 mijë të tjerë! Gramozi tundi në parlament dy karta që vetëm përmasat kishin sa ato të kartave biometrike të identitetit. Meqë këta dy falsifikatorë kartash (të pafalsifikueshme, se kanë gjurmët e të gjithë gishtërinjve, e të tjera, e të tjera)  ishin të partisë kundërshtare, duhet të thoshte. “Këta hajdutë janë x-i dhe y-i, me dokumentet e krimit që i kam në dorë. Këto dy karta identiteti false (!) që shihni (nga larg?) do t’i dorëzohen prokurorisë, që t’u tregohet vendi këtyre falsifikatorëve, emrat e të cilëve sapo jua thashë”.
Kështu veprohet, jo si me rastin e 20 mijë komisionerëve tradhtarë! (Meqë qenkan një divizion, le të procedohen 20, apo 2, boll janë. Qoftë edhe një, vetëm një. Për ndryshe: Jeni Ju Falsifikatorë të së Vërtetës! Këto hiperbolizime janë si ato rezultatet e Enverit me 99,99% fitues, që askush nuk i besonte, por duhej të shtirej se ishin të vërteta. Po ashtu edhe ato shifrat çmendurore të 20 mijë apo të 70 mijëve janë të pabesueshme, por harrohet një element tjetër që ndryshon nga imitacionet e Enverit. Se sot s’ua ka për borxh njeri, që të shtiret se beson skenare të tilla që ekzistojnë vetëm në trurin tuaj diabolik!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›