E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE akordon 44 milion euro për Maqedoninë

Shkup - Bashkimi Evropian i ka akorduar Maqedonisë 44 milion euro, pjesë kjo nga programi i Komisionit Evropian IPA. Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Ervan Fuere dhe zëvendëskryeministri për çështje të eurointegrimeve, Ivica Bocevski kanë firmosur dje marrëveshjet financiare për realizimin e programeve nga fondet IPA të BE-së. Me këto marrëveshje Maqedonia siguroi mundësinë për të tërhequr fondet e BE-së që kapin një vlerë prej 44 milion euro.

Firmosja e këtyre marrëveshjeve paraqet hap të rëndësishëm për integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian. "Komisioni Evropian pret që këto mjete të shfrytëzohen në mënyre dinjitoze për projektet e kontraktuara", ka deklaruar Euroambasadori në Maqedoni Ervan Fuere.

Zëvendëskryeministri maqedonas Ivica Bocevski tha se "kjo paraqet edhe një dëshmi se Maqedonia ka njohuri, përvojë dhe kapacitet që në mënyrë të pavarur të menaxhojë me fondet evropiane. Qasje në IPA fondet Maqedonia ka si vend kandidat për anëtarësim në BE. Bëhet fjalë për shuma prej disa miliona euro për qëllime të ndryshme, të cilat do të thithen gjatë disa viteve në vijim. Janë të parapara disa projekte me të cilat Komisioni Evropian siguron ndihmë të përhershme politike, teknike dhe mbështetje financiare në çdo fazë të procesit të Maqedonisë drejt integrimit në BE”.

Maqedonia që nga dhjetori i vitit 2005 ka statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian, por ende nuk ka siguruar ndonjë datë për fillimin e negociatave për anëtarësim. Vonesa e caktimit të datës për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE ka bërë që ky vend të ketë kufizime në shfrytëzimin e mjeteve financiare.

Deri më tani, qeveria në Shkup ka marrë tre raporte negative të Komisionit Evropian.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›