E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, apel opozitës: Bojkoti, papjekuri politike e PS

Komisioni Europian vlerëson se Shqipëria po bën një progres të mirë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por kritikon opozitën socialiste për bojkotin parlamentar duke argumentuar se me këtë veprim ajo nuk tregon aspak mature demokratike. Duke u përgjigjur për Televizionin Klan lidhur me bojkotin e opozitës, Olli Rehn ka thënë se qendrimi i opozitës shqiptare është një shenjë e papjekurisë politike dhe është kundër kritereve të Kopenhagenit:
Olli Rehn “Nuk është një mënyrë europiane e të bërit të politikës. Të gjithë duhet të sigurojnë, që duhet të përmbushen kushtet, që ky bojkot të marrë fund. Mirëpres progresin e mirë të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Por një prej kushteve kryesore të kriterit politik të Kopenhagenit, është stabiliteti politik dhe maturia demokratike. Bojkoti parlamentar mund të përkufizohet si në kundërshtim me maturinë demokratike.”
Kjo konferencë e organizuar me Këshillin e bashkëpunimit rajonal të Presidencës suedeze kishte në fokusin e saj përpjekjet e rajonit për kapërcimin e krizës ekonomike dhe bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit në rrugën e tyre drejt integrimit europian. Në të morën pjesë 200 zyrtarë të lartë të rajonit, vendeve anëtare të Ballkanit, Shteteve të Bashkuara, Zvicrës dhe Norvegjisë. Pjesëmarrësit e konferencës dhanë mbështetjen e tyre të fuqishme për integrimin europian të Ballkanit në tërësi dhe shtynë qeveritë përkatëse të përparojnë me shpejtësi në rrugën e reformave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›