Zv.kryeministri Meta, vizitë zyrtare në Itali
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, nisi dje vizitën zyrtare dyditore në Itali. Shefi i diplomacisë shqiptare është ftuar në Itali nga homologu i tij, Franko Fratini. Bisedimet mes dy ministrave të Jashtëm do të fokusohen në ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe, emigracionin shqiptar në Itali, zhvillimet e politikës rajonale, si dhe çështje që kanë të bëjnë me axhendën e integrimit europian të Shqipërisë, veçanërisht mbi procesin e liberalizimit të vizave. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Meta, do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh me personalitete të larta të politikës italiane, si dhe me ambasadorë të vendeve të akredituar në vendin tonë, me rezidencë në Romë. Dje, ministri i Jashtëm priti presidentin dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë "Bankers Petroleum Ltd", Abby Badwi. Zëvendëskryeministri, Ilir Meta, priti gjithashtu dje edhe shefin e Zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Tiranë, Daniel Berg.