BE dhe OSBE: Të mbyllet reforma zgjedhore
OSBE dhe Komisioni Evropian kërkojnë të mos humbet kohë për reformën zgjedhore. Komisioneri evropian, Dirk Lange, kërkon miratimin sa më parë të Kodit të ri Zgjedhor, ndërsa ambasadori i OSBE, Robert Bosch, kritikon draftin e reformës zgjedhore. Sipas Bosch, drafti nuk jep garanci për kuotat gjinore. Shefi i sektorit përgjegjës për Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të Komisionit Evropian, Dirk Lange, vizitoi zyrën e gjendjes civile në Vorë për të vrojtuar rezultatet konkrete të projektit të asistencës prej 2.5 milionë euro të BE-së për modernizimin e regjistrit civil dhe sistemit të adresave në Shqipëri. Projekti po zbatohet nga Prezenca në Shqipëri e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, në partneritet me Këshillin e Evropës. Projekti mbështetet me fonde shtesë nga Statistics Norway dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara. Lange theksoi rëndësinë e plotësimit të infrastrukturës zgjedhore para zgjedhjeve të përgjithshme në 2009, si dhe rëndësinë e arritjes së një progresi të kohshëm në përfundimin e punës me regjistrin civil, Kodin Zgjedhor dhe administratën zgjedhore. Lange deklaroi se "Shqipëria duhet të sigurojë një regjistër civil të saktë dhe pajisjen me dokumente identifikimi sipas standardeve ndërkombëtare të të gjithë votuesve në një kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare". "Prezenca e OSBE-së në Shqipëri e sheh modernizimin e sistemit të regjistrimit civil në vend si një instrument të rëndësishëm dhe të nevojshëm për mbështetjen e procesit të reformës zgjedhore. Është e qartë që listat e votuesve do të jenë një rezultat kyç i sistemit të regjistrimit civil. Kështu që cilësia e të dhënave përbën një element thelbësor për modernizimin dhe përmirësimin e ardhshëm të shërbimeve publike" tha shefi i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Robert Bosh. "Përpjekje të mëtejshme duhet të ndërmerren. Autoriteti i Mbrojtjes së të Dhënave duhet të ngrihet dhe puna për sistemin e adresave duhet të vazhdojë. Por hapa të rëndësishme po merren" shtoi ai.