PS: Jemi në mbështetje të trupës gjyqësore
Socialistët akuzuan dje mazhorancën se po vazhdon të ushtrojë presion ndaj pushtetit gjyqësor. Kreu i Komisionit të Ligjeve pranë Partisë Socialiste, Ylli Manjani, konstatoi se Kryeministri po shpalos mjetet për zotërimin tërësisht të pushtetit të pavarur të gjykatave në Shqipëri. "Procedurat që po ndiqen për miratimin e projektligjit për administratën gjyqësore, projekt të cilin e kemi denoncuar si të papranueshëm për standardet e një vendi demokratik, tregojnë më së miri fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie", vlerësoi Manjani. Sot, shtoi ai, në opozitë mbështesim pa asnjë ekuivok kërkesën legjitime të trupës gjyqësore për më shumë hapësirë në bërjen e ligjeve në Shqipëri. "Mbështesim përpjekjet e kësaj trupe për të garantuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Njëkohësisht jemi të angazhuar që në qeverisjen e re trupa gjyqësore do të ketë të drejtën e hartimit të ligjeve që vetërregullojnë veprimtarinë gjyqësore", argumentoi Manjani. Qeverisë së Sali Berishës, tha ai, nuk i interesojnë qytetarët që kërkojnë drejtësi përditë në dyert e gjykatave, por ajo është thjesht e interesuar për të kontrolluar gjykatat për hesape krejt personale të qeveritarëve të korruptuar. Partia Socialiste mendon se qeverisja e sotme nuk është e interesuar për të forcuar pavarësinë e gjykatave, përkundrazi ajo i do gjykatat për t‘u hedhur fajin për dështimet dhe zullumet e veta, që bën çdo ditë në kurriz të interesave legjitime të shqiptarëve. "Qeverisë nuk i interesojnë ligje konsensuale (prandaj ka ikur nga tryeza e konsensusit), përkundrazi ajo thjesht prodhon makijazhe juridike për veprimet politike të saj, për rrëmbimin e gjyqësorit dhe prokurorisë", theksoi Manjani. Drejtuesit socialistë janë të idesë se pseudo transparenca e sforcuar e kësaj mazhorancë në Komisionin e Ligjeve gjatë diskutimit të projektligjit për administratën gjyqësore tregon qartë se kjo qeveri nuk e ka seriozisht reformën në drejtësi. "Arroganca, e cila u shfaq në komunikim me trupën gjyqësore si në mbledhjen e KLD-së, ashtu edhe në Komisionin e Ligjeve, tregon qartë se kjo qeveri është e kompleksuar para drejtësisë", u shpreh Manjani. Në këto kushte, vijoi ai, kjo mazhorancë nuk ka më moral dhe legjitimitet politik të flasë për reforma e jo më të marrë përsipër t‘i kryejë ato. Partia më e madhe e opozitës shprehet e vetëdijshme se gjyqësori nuk është në lartësinë e duhur, siç e kërkojnë interesat legjitime të shqiptarëve. Por, tha Manjani, jemi të bindur se rruga e mosbashkëpunimit dhe e sulmit politik mbi pushtetin gjyqësor është më e gabuara e mundshme.