E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklaron ambasadori holandez: Mos kopjoni fqinjët për integrimin në BE

Ambasadori holandez në Tiranë pohon se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk shihet pozitivisht nga vendet anëtare dhe integrimi i Shqipërisë në të e vendos vendin përpara sfidave të mëdha. Duke vlerësuar hapat e vendit tonë drejt BE-së, ambasadori i Mbretërisë së Holandës në vendin tonë, Henk van den Dool, ka theksuar gjatë një konference në Durrës se integrimi nuk ka të bëjë me qeveritë, por me njerëzit. "Mbetet shumë për të bërë dhe sfidat përpara jush janë të mëdha. Megjithatë, zgjerimi i BE-së nuk është një ide shumë popullore këto ditë, pasi mezi e gëlltitëm valën e fundit të zgjerimit. Gjithsesi nuk duhet të dekurajoheni nga kjo, sepse në momentin që Shqipëria ndërmerr hapat e duhur dhe vazhdon këtë rrugë, atëherë do të jetë pjesë e BE", tha diplomati holandez, duke përcjellë mesazhin e rëndësisë që ka ndërmarrja e hapave "Made in Albania" dhe jo duke kopjuar rrugën e vendeve të tjera si Maqedonia, Mali i Zi etj. Në këndvështrimin e tij, integrimi vjen si një përvojë njerëzore, komunitare, që "nuk ka të bëjë me qeveritë, po me njerëzit dhe njohjen me njëri-tjetrin, kalimin e kohës së bashku. Duke i mëshuar këtij fakti që politikanët shqiptarë gjithnjë e harrojnë, ambasadori holandez dhe pjesëmarrësit në konferencë theksuan rëndësinë e programit IPA, që i jep një mbështetje të madhe financiare Shqipërisë nëpërmjet hartimit dhe zbatimit të projekteve të vogla, por të suksesshme. Mbështetja e BE-së për Durrësin ka qenë tema kryesore e diskutuar gjatë kësaj konference të posaçme, ku është diskutuar gjerësisht për programin IPA që ka të bëjë me bashkëpunimin ndërkufitar të vendeve të rajonit dhe ka në dispozicion për vendet e përfshira në të një fond prej 30 milionë eurosh për periudhën 2008-2010. Rreth 14.4 milionë euro të IPA-s do të përfitohen nga vendi ynë, ku një pjesë e tij në varësi të projekteve do të mbesë në Durrës. Këto do të paraqiten nga aktorët e ndryshëm në fund të këtij viti. Për të përfituar mbështetjen e këtij programi, Bashkia e Durrësit do të marrë të gjitha masat e duhura për krijimin e strukturave të posaçme që kanë të bëjnë me projektet që do të përfitohen nga BE. Kryebashkiaku Vangjush Dako deklaroi se Durrësi është në rrugën e pandërprerë të zhvillimit të ndjeshëm dhe po synon një reformë strukturore, që do të ketë si rezultat edhe thithjen sa më efikase të projekteve të BE për qytetin. Programi IPA zbatohet në Itali, Greqi, Slloveni, Shqipëri, Kroaci, Serbi dhe Mal të Zi. Deri tani Shqipëria ka përfituar projekte nga tre programe Shqipëri-Itali, Itali-Adriatik dhe CADSES, që janë të përfshira në programin Interreg. Shqipëria përfiton vetëm nga 2 elementët e IPA (Instrumenti i Para-Aderimit/Instrument of Pre-accesion) dhe vetëm pasi të marrë statusin e vendit kandidat mund të përfitojë nga komponenti i 3-të, Zhvillimi Rajonal/Regional Development. Në bazë të IPA-s, Shqipëria do të ketë mundësi të ketë mbështetjen e Kohezionit ekonomik e social për herë të parë e do të ketë nevojë të vërë në funksion skema granti për investimin që nxisin masat e Fondeve Strukturore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›