E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia çon në prokurori sindikatën e minatorëve

Policia e Tiranës ka dërguar për ndjekje penale disa nga organizatorët e tubimit të minatorëve dy ditë më parë para kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe disa prej pjesëmarrësve në këtë tubim. Kjo është bërë e ditur nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, e cila në një komunikim për shtyp tha se minatorët kanë shkelur ligjin. Sipas policisë, minatorët kanë konsumuar veprat penale të "kundërshtimit të punonjësve të policisë", si dhe "organizim e pjesëmarrje në manifestime të paligjshme". Megjithatë, menjëherë ka reaguar edhe shoqata e minatorëve, e cila është shprehur e bindur se nuk kishte bërë asnjë shkelje, por kishte kërkuar të drejtat e saj. Në lidhje me këtë, policia e Tiranës deklaroi se bazuar në kërkesën e mbërritur nga Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë kishte garantuar mbarëvajtjen e këtij tubimi nga ora 10:00 deri në orën në 11:00, të datës dy tetor, për shkak të angazhimeve të shumta të shërbimeve policore. "Në shkresën e ardhur nga Sindikata e Minatorëve është cilësuar se tubimi do të jetë paqësor, ku fillimi i tubimit do të zhvillohej në orën 10:00 të ditës së enjte, ndërsa afati i përfundimit të tij, i papërcaktuar. Ndërkohë, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në përgjigjen e kthyer organizatorëve është garantuar zhvillimin normal i tubimit në vendin e miratuar, duke u kujtuar detyrimet që rrjedhin nga ligjet. Po ashtu, organizatorëve të tubimit ju është përcaktuar vendosja e tubuesve në trotuarin përballë Kryesisë së Kuvendit, si dhe mospengimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe zhvillimit normal të punës së institucionit të lartpërmendur", detajoi policia kryeqytetase. Sipas informacioneve të mëtejshme, nga veprimet e kryera nga organizatorët e tubimit, strukturat e Policisë së Tiranës, përgjatë përmbushjes së detyrave të tyre funksionale, kanë qenë tolerante gjatë zhvillimit të këtij tubimi, ku edhe pas përfundimit të orarit të përcaktuar prej një ore, tubuesit janë lejuar përsëri të protestojnë. "Por, për veprimet e kryera, organizatorët e tubimit dhe persona të tjerë do të ndiqen për konsumim të kundërvajtjeve penale të ‘kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik‘, si dhe ‘organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime e manifestime të paligjshme‘", deklaroi Drejtoria e Policisë së Tiranës. Sipas informacioneve zyrtare, denoncimi është dërguar në prokurori, megjithëse nuk ka shqetësuar shumë krerët e sindikatës. Fiqiri Xibri, kryetar i sindikatës së minatorëve, ka deklaruar se policia ka bërë një padi kundër tyre, qëkur kishin protestuar përpara Presidencës. "Disa nga ne u paraqitën në prokurori kur na thirrën dhe të tjerët jo. Kot që janë lodhur edhe me këtë padinë e dytë. Ne e dimë që do të na thërresë prapë prokuroria. Por, protestën tjetër ne do ta bëjmë aq të madhe, saqë do të shkojë vetë në burg policia, ose ne", është shprehur i vendosur Xibri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›