PDS: Infrastruktura zgjedhore po çalon
Partia Demokracia Sociale shprehu dje shqetësim për shtyrjen e herë pas hershme të mandatit të Komisionit parlamentar të Reformës Zgjedhore. Sekretari politik i kësaj partie vuri në dukje vonesat në përcaktimin e rregullave të organizimit e funksionimit të zgjedhjeve dhe administratës së saj, së bashku me pajisjen e shtetasve shqiptarë me karta identiteti dhe pasaporta biometrike. "Ne i shohim vendimtare për fatet e integrimit euroatlantik të vendit këto aspekte, për të arritur standardet e dëshiruara, për të pasur zgjedhje të lira e të ndershme në vitin 2009", theksoi ai. PDS thotë se synon qartazi që në Kuvendin e ri të Shqipërisë të ketë një grup të sajin parlamentar. Për t‘i shërbyer kësaj, njoftohet ngritja e një infrastrukture për riorganizimin dhe përshtatjen e të gjitha organizmave të partisë në bazë qarqesh. PDS përsërit edhe një herë se nuk ka përcaktuar ende aleancat e ardhshme zgjedhore dhe se lëvizjet politike nuk do të kushtëzohen nga veprimet e partive të tjera. "Ne kërkojmë një bashkëpunim të hapur për të ndërtuar aleancat e duhura", tha sekretari politik.