BE diskuton për Ballkanin - Italia dhe Sllovenia, rezolutë për heqje vizash brenda 2009-s

Bashkimi Evropian ka marrë në shqyrtim sërish dje përparimin e reformave në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe mundësinë e përshpejtimit të ritmeve të heqjes së regjimit të vizave me këto vendeve. Italia dhe Sllovenia kanë sponsorizuar një projekt për përshpejtimin e këtyre hapave brenda vitit 2009. me këtë nismë janë bashkuar edhe Belgjika, Luksemburgu, Çekia e ndonjë shtet tjetër, por Gjermania është treguar skeptike dhe duket se një sinjal më i qartë do të jepet në samitin e kryeministrave, që pritet të mbahet me 19-20 mars. Ministri i Jashtëm çek Karl Zhvarcenberg, tha pas takimit të djeshëm të ministrave të jashtëm se në bllokun perëndimor ka ende dallime lidhur me liberalizimin e vizave. “Nuk është arritur ende konsensusi i vërtetë për heqjen e vizave qytetarëve të Ballkanit Perëndimor`, u shpreh ministri i Jashtëm çek. Duke komentuar letrat e Sllovenisë dhe Italisë drejtuar Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave këtë vit, Zhvarcenberg deklaroi se këto vende duhet të punojnë më shumë për të arritur përparim të vërtetë në këtë drejtim.
Topalli në Bruksel: Belgjika, e angazhuar për liberalizimin e vizave me Shqipërinë/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë vizitës së saj në Bruksel në takimin e zhvilluar me homologun e saj belg, Patrick Deëal, ka marrë konfirmimin nga kryeparlamentari belg se ai do të angazhohet personalisht për liberalizimin e dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve mes dy vendeve. Vizita e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli dhe takimi me homologun e saj belg shënon një dimensionim të ri të marrëdhënieve mes dy vendeve. Kryetari i parlamentit belg, si ish ministër i Brendshëm i Belgjikës, cilësi me të cilën ka vizituar para disa kohësh dhe Shqipërinë, u shpreh se “Unë do të bisedoj personalisht për çështjen e liberalizimit të vizave me përfaqësuesit e qeverisë së Belgjikës, si një prej vendeve më me influencë në BE, dhe që vitin e ardhshëm, merr Presidencën e radhës”.
Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit nënvizoi se mbështetja e Belgjikës është e një rëndësie të veçantë, pasi sipas saj vjen “në një kohë kur ambicia jonë, është që në vitin e parë të mandatit të dytë të realizojmë lëvizjen e lirë të qytetarëve”.
Në këtë kontekst Topalli e njohu homologun e saj me detyrimet që Shqipëria tashmë ka përmbushur, duke u shprehur se “kemi nisur dhe do përfundojmë së shpejti procesin e pajisjes me Kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. Të gjitha këto hapa janë në shërbim edhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë që meritojnë të qarkullojnë të lirë në Evropë, pjesë e së cilës ndihen”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit nuk la pa përmendur dhe mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë në procesin e ratifikimit të MSA dhe Protokollit të Anëtarësisë në NATO, si një ndihmë e konsiderueshme, për rrugëtimin evropian të vendit tonë.
Duke u ndalur te ngjarja më e rëndësishme që pritet të ndodhë për vendin tonë, Topalli u shpreh se “Pas dy javësh Shqipëria do të përjetojë ngjarjen më të rëndësishme në historinë e saj, pas shpalljes së Pavarësisë, atë të anëtarësisë me të drejta dhe përgjegjësi të plota në NATO”.
Dy bashkëbiseduesit u ndalën dhe diskutuan rreth krizës globale e cila ka përfshirë tashmë disa prej vendeve më të industrializuara të botës, ku Kryetarja e Kuvendit shpjegoi se Shqipëria nuk është prekur nga kriza. Duke folur për politikat ekonomike të ndjekura nga shteti shqiptar, Topalli u shpreh se, “Doktrina jonë ekonomike rezultoi efikase dhe ne përballuam valën e krizës. Për të përballuar efektet e saj të mundshme në ekonominë tone, qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera, kanë hartuar një paketë stimuluese me masa ndihmëse financiare”, tha Kryetarja e Kuvendit.
Edhe pse Belgjika ishte njëri ndër vendet i cili u prek në mënyrë të konsiderueshme nga kriza, Kryetari i Parlamentit belg shprehu interesimin e vendit të tij për rritjen e bashkëpunimit ekonomik, ku shprehje konkrete do të jetë rritja e investimeve belge në vendin tonë.
Në kuadër të bashkëpunimit ndërparlamentar Kryetarja Topalli e ftoi Kryetarin e Parlamentit belg, Patrick Deëal, për një vizitë në Shqipëri.
Gjatë vizitës së saj në Bruksel, Kryetarja e Kuvendit do të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të Euro-Mesdheut, ku Shqipëria pritet të anëtarësohet me të drejta të plota, event në të cilin Kryetarja e Kuvendit do të mbajë dhe një fjalim.
Ministri Britanik, David Miliband: “Kriza ekonomike nuk pengon zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit perëndimor”/Pavarësisht krizës globale ekonomike, Bashkimi Evropian duhet të rifillojë procesin e zgjerimit me Turqinë, Ballkanin Perëndimor dhe të mbetet i hapur për vende të tilla si Ukraina dhe Islanda, deklaroi dje sekretari i Jashtëm britanik, David Miliband gjatë një interviste për të përditshmen polake “Gazeta Ëyborcza”. “Kriza ka zbuluar qartë shkallën e ekspozimit tonë ndaj problemeve, që ekzistojnë përtej kufijve tanë”, theksoi Miliband.
Kryediplomati britanik shtoi gjithashtu se BE-ja duhet të mbështesë Turqinë në rrugën e saj të integrimit, pasi reformat e Ankarasë kanë qenë frytdhënëse.
Sipas tij, është e një rëndësie thelbësore që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në bllokun 27-anëtarësh me qëllim kapërcimin e nacionalizmit dhe ndarjeve historike në rajon.
“Megjithatë, përveç vendeve të Ballkanit Perëndimor, BE-ja duhet të hapë dyert e saj edhe për vende të tjera si Islanda dhe Ukraina”, nënvizoi Miliband.
Vetëm pak kohë më parë komisioneri për Zgjerim në Komisionin Evropian Oli Rehn, ka qenë në të njëjtën linjë kur ka deklaruar se kriza ekonomike nuk do të frenojë zgjerimin e Bashkimit Evropian me vende të reja nga Ballkani Perëndimor.
“Duke parë drejt së ardhmes, rënia ekonomike duhet të imponojë mundësi për forcimin dhe thellimin reformave thelbësore për të promovuar vijimësinë e integrimit, t’i garantojë Bashkimit Evropian një rol lidershipi mbi rritjen ekonomike botërore dhe të presë vende të tjera në të ardhmen”, deklaroi komisioneri Rehn në samitin e fundit të vendeve të unionit mbajtur në kryeqytetin gjerman Berlin pikërisht me temë krizën ekonomike globale dhe rrugët e daljes prej saj.
Kjo deklaratë përbën një mesazh të qartë për vëmendjen që kanë institucionet kryesore të BE-së ndaj krizës ekonomike globale, impaktit të saj në politikat e zgjerimit të saj. Rehn së bashku me komisionerin për Çështjet Ekonomike Joaquín Almunia kanë vënë theksin në zgjerimin e fundit të BE-së, hapin më të madh dhe historik drejt bashkimit të Evropës pas dekadash të ndarjes nga Lufta e Ftohtë.