BE do të padisë Rusinë dhe Ukrainën për bllokimin e gazit
Bruksel - Bashkimi Evropian kërcënon se do të padisë Rusinë dhe Ukrainën, nëse nuk rifillojnë shpejt furnizimin e gazit natyror për bllokun. Presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, duke folur në Parlamentin Europian, tha se edhe nëse gazi lejohet të kalojë për vendet e bllokut, ai do t'i këshillonte vendet anëtare të bllokut prej 27 anëtarësh të merrnin masa për të siguruar burime alternative për furnizimin afatgjatë me energji. "Unë do të doja t'i dërgoja një sinjal të qartë Moskës dhe Kievit. Nëse marrëveshja e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian nuk respektohet dhe nuk konsiderohet si çështje urgjente, komisioni do t'i kërkojë kompanive të Bashkimit Europian ta dërgojë këtë çështje në gjykatë", tha ai , citon Reuters.