E Diel, 1 Nëntor 2026

BE fillon sot konsultimet per liberalizimin e vizave me Ballkanin Perendimor


Vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të fillojnë që sot konsultimet mbi raportin e Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht Maqedonia, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia. Komisioni Evropian njoftoi se raporti në fjalë tashmë u është dërguar 27 vendeve anëtare. Kohëzgjatja e konsultimeve dhe opinioni i vendeve anëtare do të jenë përcaktues për një regjim të lirë pa viza për vendet e Ballkanit Perëndimor. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian dhe komisioner për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, Jacques Barrot deklaroi se pasi çdo vend anëtar të shprehet lidhur me këtë çështje, brenda afatit më të shkurtër të mundshëm ai do të propozojë heqjen e vizave Shengen për vendet që kanë përmbushur kriteret. "Jam i bindur se heqja e vizave për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është një perspektivë e dukshme", vlerësoi Barrot duke shprehur kënaqësinë lidhur me përpjekjet e shteteve të rajonit në përmbushjen e kushteve dhe bashkëpunimin e shkëlqyer me misionet e ekspertëve të KE-së. Vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave miratohet me shumicë kualifikuese prej dy të tretash të vendeve anëtare të BE-së, pas një mendimi paraprak të Parlamentit Evropian.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›