Vala e te nxehtit do te mbizoteroje edhe gjate dy muajve te ardhshem

Gjatë javës së kaluar temperaturat në vend arritën në 35 gradë celcius, një vlerë kjo e lartë për stinën e pranverës. "Duket se stinët po ngatërrohen dhe tashmë vera po vjen shumë shpejt”, shprehen qytetarët e ndryshëm dhe të paktë në rrugë, gjatë ditëve të fundjavës. Ndërkohë, kjo javë, e fundit e këtij muaji, pritet të jetë pak më e freskët, duke u shoqëruar dhe me reshje shiu pothuajse në të gjithë territorin e vendit. Kështu në Tiranë, temperaturat e larta pritet të ulen nga rreth 30-32 gradë në fillim të javës në rreth 23-25 gradë, ndërsa ato të ulëta do të kenë pak ndryshim nga 16 gradë në 15 gradë celcius. Por, pavarësisht këtyre uljeve të lehta të temperaturave në këtë javë, parshikimet e meteorologëve flasin për një verë tepër të nxehtë. Sipas tyre, vendi ynë pritet të goditet në dy muajt e ardhshëm, nga i nxehti afrikan, duke bërë që temperatura maksimale të kalojë mbi 42 gradë celcius. Rritja e temperaturave dhe "çrregullimi i stinëve" është një nga ndikimet e ndryshimeve klimatike në vendin tonë, sipas specialistëve të mjedisit. Nën këtë ndikim, duket se Shqipëria pavarësisht se ka një klimë mesdhetare, në ditë të veçanta është prekur nga fenomene të klimës kontinentale. Ndërkohë, rritja e temperaturave ka vënë në gatishmëri strukturat shëndetësore në vend, por dhe urgjencat e kryeqytetit, veçanërisht atë të pediatrisë. Gjatë fundjavës, u shënua një numër i lartë i pacientëve të paraqitur në urgjenca, për shkak të temperaturave të larta. Moshat më të prekura kanë qenë fëmijët dhe të moshuarit. Kështu në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza në Tiranë, në spitalin pediatrik, janë regjistruar rreth 180 fëmijë në ditë me simptoma nga temperaturat e larta. Mosha më e prekur e fëmijëve është katër vjeç, ndërkohë që simptomat janë nga më të ndryshmet. Në prag të sezonit veror, me rritjen e temperaturave, mjekët japin këshillat e nevojshme, për t'i paraprirë komplikacioneve, që shfaqen në shëndetin e fëmijëve. Sipas mjekëve, nënat duhet të kujdesen të mos i ekspozojnë në temperatura të larta fëmijët, t’u japin sa më shumë lëngje dhe ushqim të kontrolluar brenda kushteve higjieno-sanitare. Në këto ditë me temperatura të larta, mjekët këshillojnë për të gjithë njerëzit që të konsumojnë sa më shumë lëngje, fruta dhe zarzavate. "Konsumoni deri 2 litra ujë në ditë dhe jo pije alkoolike", thonë mjekët, ndërsa vënë theksin tek evitimi i lëvizjeve dhe aktiviteteve fizike intensive nga ora 11.00 deri në orën 16.00. Kujdes i veçantë duhet treguar për fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzana dhe të sëmurët kronikë", shprehen mjekët. Por, nga ana tjetër, ata nënvizojnë respektimin e rregullave të higjienës për gjithësecilin, si dhe kujdesin nga ushqimet që konsumohen.
...