Transparency International: Shqiperia, kampione ne luften kunder korrupsionit

Sipas një analize krahasuese të organizatës ndërkombëtare që mat indeksin e korrupsionit në botë, gjatë viteve 2005-2008, Shqipëria ka kapërcyer 41 vende në listën që ajo publikon, duke e cilësuar si shembullin se si luftohet korrupsioni nga një mazhorancë që e ka shpallur atë si prioritet edhe për katër vitet e ardhshme
Sipas një hulumtimi të Transparency International, Shqipëria renditet në krye të listës së vendeve që kanë regjistruar progres të theksuar në luftën kundër korrupsionit. Duke bërë një analizë krahasuese të renditjes së Shqipërisë në listën e vendeve, për sa i përket indeksit të korrupsionit, një indeks shumë i mediatizuar dhe që shërben si udhërrëfyes për organizmat financiare, por edhe investitorët e huaj, gjatë periudhës 2005-2008, Shqipëria ka kaluar më shumë se 41 vende në renditjen krahasuese, duke lëvizuar nga vendi i 126 në vitin 2005 (rekord që vinte nga instalimi i shtetit të korrupsionit, prej mazhorancës së majtë), në vendin e 85 në vitin 2008. duke pasur parasysh se sa më i lartë të jetë indeksi, aq më i korruptuar është një vend, po përcjellim edhe të dhënat krahasuese të Shqipërisë për periudhën në fjalë: Në vitin 2005, ajo renditej në vendin e 126-të, në vitin 2006 renditej e 111-ta, në vitin 2007 renditej e 105, kurse në vitin 2008, renditej e 85-ta. Ky është një progres i mirëfilltë në luftën kundër korrupsionit (this is really significant progress on corruption) thuhet në vlerësimin krahasues që bëhet nga Transparency International. Kryeministri Berisha ka shpallur si prioritet të mandatit të dytë të qeverisjes së tij, renditjen e Shqipërisë në 20 vendet me nivelin më të ulët të korrupsionit në botë, çka do ta shndërronte vendin tonë, jo vetëm në pararojë të rajonit, por edhe në një parajsë të sigurisë për investimet e huaja dhe vendase. Analiza krahasuese është një rast i mirë tashmë me fillimin e fushatës zgjedhore, për të orientuar drejt edhe vëmendjen për nga qeverimi me duar të pastra, një model që rezultoi fitues në katër vitet e para (i çertifikuar nga Transparency International), e që pritet të jetë frymëzues për katër vitet e ardhshme.
...