U nenshkrua sot marreveshja per ndertimin e nyjes se Vores

Korridori rrugor që lidh Tiranën me Durrësin, e konsideruar si një nyje lidhëse për gjithë rrugët e vendit do t'i nënshtrohet përmirësimeve të mëtejshme infrastrukturore, me qëllim disiplinimin e trafikut. Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, si dhe përfaqësuesi i Fondit Kuvajtian, Waleed Hussien Abdul Fattah Khatouf, nënshkruan në Tiranë marrëveshjen për ndërtimin e Nyjes Rrugore të Vorës, një financim me vlerë 5.3 milionë euro. "Ndërtim i Nyjes Rrugore të Vorës përfshin ndërtimin e rreth 3 km rrugë paralele me autostradën Tiranë-Durrës, rakordimin e hyrje-daljeve në autostradë, mbingritjen e autostradës në dalje të Vorës, ndërtimin e nënkalimit në këtë zonë, dy rrethrrotullime, por edhe ndriçimin e saj", deklaroi ministri Oldlashi. Punimet për ndërtimin e Nyjes Rrugore të Vorës, një financim ky i Fondit Kuvajtian dhe qeverisë shqiptare, do të kryhen nga kompania J/V Corpi Contrackting & Co dhe pritet të përfundojnë brenda 22 muajsh. Realizimi i dy projekteve në këtë aks, mbikalimi i Durrësit dhe Nyja Rrugore e Vorës, përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, marrëveshjet për të cilat u nënshkruan sot, do të shtrijnë efektet në të gjithë rajonin, për sa i përket lehtësimit të infrastrukturës deri në Portin e Durrësit. Ndërtimi i këtyre dy veprave është me ndikim të drejtpërdrejtë edhe në rrugën e re Durrës-Prishtinë.
...