E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE ftoh entuziazmin e Tiranës: Shumë herët për vizat

Kreu i Departamentit për marrëdhëniet me jashtë dhe zgjerimin pranë Komisionit Evropian, Luigi Soreca, në një intervistë për BBC tha se Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina, megjithë progresin e rëndësishëm, ende kanë punë për të bërë për të plotësuar standardet e caktuara për heqje të vizave.

Majlinda Zeqiri foli me zotin Soreca para një debati që mbahet në Bruksel të enjten nga Qendra për Politikë Europiane dhe Iniciativa për Stabilitet Europian mbi liberalizimin e vizave në Ballkan.

BBC: Tashmë BE po përgatitet të heqë regjimin e vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Por jo për Shqipërinë dhe Bosnjën. A është e justifikueshme të lihet Shqipëria dhe Bosnja jashtë?

Soreca: Mendoj se çfarë ka rëndësi këtu është fakti se që nga fillimi, dialogu i liberalizimit të vizave që Komisioni Evropian lançoi me pesë vendet në rajon u bazua në një hartë rruge mjaft të qartë me standarte dhe partnerët e dialogut nga një anë Komisioni dhe nga ana tjetër pesë vendet ranë dakord se vetëm duke plotësuar të gjitha standartet e rrugës së hartës që janë edhe kushte teknike dhe politike, do të lejojnë komisionin të japë vlerësimin te Këshilli dhe shtetet anëtare në mënyrë që të lejohte kalimi i propozimit për heqje të detyrimeve të vizave. Kur arriti koha për komisionin që të finalizonte vlerësimet, në atë moment ishte e qartë nga raportet e ekspertëve të shteteve anëtare, nga burime të hapura si dhe nga vetë raportimet tona se Maqedonia kishte plotësuar tërësisht të gjitha standartet. Se Serbia dhe Mali i Zi ende duheshin monitoruar në disa çështje të dukshme, ndërsa Shqipëria dhe Bosnja Hercegovina, megjithë progresin e rëndësishëm të bërë, ende kanë punë për të bërë për të plotësuar standartet e caktuara.

BBC: Le t'i kthehemi specifikisht Shqipërisë. Cilat janë standardet e caktuara që nuk ka plotësuar Shqipëria?

Soreca: Siç thashë, si Shqipëria dhe Bosnja kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara gjatë këtyre muajve të dialogut. Përsa i përket Shqipërisë, përpjekje të shumta u bënë nga autoritetet shqiptare për sigurinë e dokumenteve për nxjerren e pasaportave biometrike dhe numrat tani janë shumë inkurajuese. Besoj se duhet bërë ende punë dhe ne jemi në kontakt me autoritetet shqiptare çdo ditë që të përmirësojnë aftësinë e zbatimit të ligjit, shkëmbimin e të dhënave midis tyre, si dhe të përmirësojnë kapacitetin e manaxhimit të kufijve, nga njëra anë. Nga ana tjetër, në fushën juridike, natyrisht aftësia e autoriteteve juridike të Shqipërisë që të hyjnë në asistencë të dyanshme ligjore me autoritetet e shteve anëtare, ka gjithashtu rëndësi.

BBC: Kur flasim për këto standarde, më herët ju përmendët standarde politike dhe teknike. Kur flasim për Shqipërinë ka vetëm çështje teknike apo edhe politike?

Soreca: Definitivisht vetëm teknike. Këtu flasim për përmirësimin siç thashë të aftësisë së zbatimit të ligjit për përpunimin e të dhënave dhe që autoritetet juridike të flasin me homologët në shtetet anëtare të Unionit. Është e qartë se parlamenti shqiptar duhet të përpunojë legjislacionin që qeveria shqiptare po paraqet para parlamentit. Nga ana jonë, ne urojmë që parlamenti shqiptar të mund të vazhdojë të punojë si duhet dhe me efektivitet.

BBC: A mos doni të thoni me këtë që vendimi i opozitës për të mos qenë në paralment po pengon procesin?

Soreca: Deri më tani qeveria shqiptare ka ofruar legjislacion shumë të mirë. Ne po monitorojmë mënyrën se si qeveria shqiptare po përgatit legjislacionin.

BBC: Po ç'mendoni ju, siç thashë, për mospjesëmarrjen e opozitës në parlament?

Soreca:Ne urojmë që të gjitha partitë politike në Shqipëri të mund të marrin pjesë në përpjkjet që vendi dhe autoritetet po bëjnë që shtetasit shqiptarë të marrin atë që meritojnë që do të thotë- liri e lëvizjes drejt shteteve anëtare të BE-së dhe vendeve të Shengenit.

BBC: Shumë po flitet që gjatë 2010 edhe shqiptarët mund të marrin dritë jeshile për të lëvizur lirshëm? A mund të themi se 2010 është datë korrekte?

Soreca: Unë thashë dhe në fillim se ky është një proces teknik. Ne po planifikojmë së bashku me autoritetet shqiptare një seri misionesh me ekspertë në fusha si siguria e dokumenteve, menaxhimi i kufijve, zbatimi i ligjeve, siguria publike që do të ndodhë së shpejti ose në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër me qëllim që Komisioni të bëjë vlerësimin. Është e qartë se tani është shumë herët të flasim për data pasi çdo gjë varet nga progresi që duhet të bëjë Shqipëria në realizimin e standardeve. Ajo çka është e qartë është se Komisioni po punon me autoritetet shqiptare që këto arritje të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

BBC: Zoti Soreca, po në gjithë këtë proces liberalizimi të vizave ku qëndron Kosova?

Soreca: Kosova nuk u përfshi në dialogun për vizat që në fillim, ndërsa ishte e pamundur për Komisionin dhe ekspertët e vendeve anëtare për të bërë kontrolllet e duhura në gjithë territorin e Kosovës. Megjithë këtë, ne gjithmonë si shërbim i Komisionit jemi për një pikëpamje rajonale. Është e qartë se Kosova do të jetë dhe është pjesë e këtij procesi. Kohët e fundit, Komisioni ka botuar një studim fizibiliteti në rrugën përpara në Kosovë përsa u përket vizave. Autoritetet në Kosovë e kanë të qartë se duhet të çojnë përpara reformat që janë të nevojshme që ne të fillojmë procesin e vizave me to, kur momenti të vijë, pra kur disa reforma të realizohen nga autoritetet në Kosovë.


****
Ne 9 nentor zv.drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për Azilin dhe Emigracionin, Jean Louis De Brouwer është pritur nga ministri i Jashtëm, Ilir Meta ku është folur për reformat e vendit dhe punën që mbetet ende për t'u bërë për lëvizjen e lirë.

"Mesazhi nga Komisioni Evropian sot është: Na ndihmoni, që tu ndihmojmë! Ne presim nga mesi i këtij muaji një raport tjetër nga Qeveria shqiptare lidhur me gatishmërinë e saj në këtë drejtim. Ky raport do të shërbejë si baza e planifikimit të përbashkët në nivelin e lartë zyrtar për fazën tjetër të proçesit të liberalizimit të vizave"- ka thënë zyrtari i KE-së.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›