E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE hap dritën jeshile për aplikimin e Malit të Zi, për Shqipërinë kusht mbeten zgjedhjet

Nga Erisa Zykaj, Bruksel

Pas 3 muaj përpjekjesh të vazhdueshme evropiane dhe ballkanase për mos ta lënë Ballkanin jashtë listës së prioriteteve evropiane, duket se Bashkimi Evropian ka kuptuar se neglizhimi i aplikimit të Malit të Zi do të ishte një humbje besimi të vendeve të Ballkanit te BE dhe rrjedhimisht regres në reforma. Kjo ndjenjë është përforcuar edhe më tepër duke parë sjelljen e paprecedent të Sllovenisë për të penguar avancimin e Kroacisë në integrimin evropian, duke bllokuar hapjen e kapitujve në negociata anëtarësimi. “Kroacia mbetet aktualisht i vetmi produkt i mirë ballkanas, me të cilin BE mund të promovojë politikën e zgjerimit!”

Si rrjedhim, ambasadorët e përhershëm të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i japin dritën jeshile aplikimit të Malit të Zi për statusin e kandidatit.

Në këtë mënyrë, ambasadorët (COREPER) kanë hapur rrugën për vendet anëtare të Bashkimit Evropian për të pranuar zyrtarisht kërkesën e Malit të Zi për t’u bërë kandidat për në BE, duke e aprovuar dosjen si pikë A. Kjo do të thotë që Këshilli i parë i Ministrave që mblidhet, që është ai i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian, do të japë aprovimin zyrtar, duke i dhënë mandatin Komisionit Evropian për të shqyrtuar aplikimin e Malit të Zi. Ky i fundit duhet t’i përgjigjet një pyetësori të vështirë të Komisionit Evropian, përgjigjet e të cilit do të shqyrtohen pastaj nga ekzekutivi i BE. Ndonëse për Kroacinë dhe Maqedoninë ky proces i shqyrtimit ka marrë një vit, për Malin e Zi dhe pastaj Shqipërinë mund të marrë më shumë kohë, si rrjedhim i ndryshimit të ekzekutivit në vjeshtë.

I hapet rruga Shqipërisë

Vendimi për Malin e Zi i hap automatikisht rrugën Shqipërisë, që të bëjë aplikimin e saj. Ndonëse Bashkimi Evropian insiston që qeveria shqiptare duhet të presë mbarimin e zgjedhjeve të përgjithshme për ta hedhur këtë hap, sipas axhendës shqiptare prezantimi i dosjes së aplikimit do të bëhet para zgjedhjeve. “Ne nuk e inkurajojmë Shqipërinë që ta bëjë aplikimin para zgjedhjeve, por njëkohësisht ne nuk mund të ndalojmë shtetet për të aplikuar. Ama, një gjë është e qartë. Për rastin e Malit të Zi ne patëm rastin të vëzhgojmë zgjedhjet, ndërkohë që Shqipëria ende s’i ka zhvilluar. Thënë ndryshe, asnjë shtet anëtar nuk do të merret me aplikimin e Shqipërisë pa parë zhvillimin e zgjedhjeve”, - ka thënë burimet e Këshillit të Ministrave.

Pas konsiderimit ose jo të dosjes së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave duhet të ndjekë të njëjtën procedurë si me Malin e Zi. Të dyja vendet ndodhen në një situatë jo të favorshme gjatë aplikimit të tyre, e cila përkon, jo vetëm me një periudhë krize ekonomike, bllokimi të Traktatit të Lisbonës dhe zgjedhjeve evropiane, por në tetor edhe me rinovimin e mandatit të institucioneve evropiane, Parlamentit dhe Komisionit Evropian. “Edhe nëse jepet drita jeshile për aplikimin e Shqipërisë, rruga do të jetë e gjatë dhe nuk dihet se sa kohë do të marrë deri në statusin e kandidatit”, - janë shprehur ministra të Jashtëm nga vende të ndryshme të BE.

“LAJM”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›