Mihal Delijorgji ortak me Fahri Balliun dhe Xhillarin
Një kompani e përbashkët ndërtimi, në të cilën janë ortakë i akuzuari kryesor për tragjedinë e Gërdecit, Mihal Delijorgji, dhe botuesi i gazetës “55”, Fahri Balliu, është ende aktive dhe nuk është sekuestruar nga prokuroria, megjithëse dosja e Gërdecit ka shkuar në gjykatë. Gazeta “TemA” arriti të sigurojë nga QKR dokumentacionin e plotë të kësaj kompanie, e cila vazhdon punën e saj normalisht, edhe pse ortakë kryesorë me 40 për qind janë Delijorgji me të vëllanë.
Sipas dokumentacionit të depozituar në QKR, Mihal Delijorgji dhe Fahri Balliu, botues i gazetës “55”, kanë krijuar në vitin 2006 një kompani të përbashkët ndërtimi, transport materialesh ndërtimi, në të cilën Fahri Balliu përfaqësohet nga vajza e tij 20-vjeçare, e cila është studente jashtë Shqipërisë. Botuesi i gazetës më të afërt të Berishës ka qenë gjatë këtij viti shumë aktiv në sulmet ndaj prokurorisë që tentonte të hetonte dosjen Gërdeci dhe thuajse ka marrë publikisht në mbrojtje Mihal Delijorgjin. Koha e formimit të kompanisë përkon dhe me kohën kur ky botues ka blerë një makinë të shtrenjtë mbi 70 mijë euro me kontributin e ortakut të tij në këtë kompani ndërtimi.
Dy ortakët e tjerë të kompanisë, vëllezërit Mata, duket se janë formalë, pasi në shkurt të vitit 2009 ata ia falin aksionet e tyre një zonje të quajtur Flora Xhillari, e cila është tashmë dhe përfaqësuese juridike e kësaj kompanie.
Skandali qëndron në faktin se kompania nuk është bllokuar gjatë këtij viti dhe se prokuroria ka rënë në gjurmë të saj, pasi ka çuar çështjen në gjykatë.
Burime nga QKR thonë se ata nuk janë pyetur në mënyrë të detajuar për këtë kompani, por thjesht u është bërë një kërkesë për kompanitë që drejtonte Delijorgji. Prokuroria nga ana e saj thotë se përgjegjësia është e QKR, pasi kjo e fundit nuk i ka detajuar aktivitetet për gjithë kompanitë e Delijorgjit.
Skandali tregon se sa të përcipta mund të jenë hetimet për Gërdecin dhe sa shumë fakte mund të kenë mbetur ende pa u zbuluar.
Tri javë më parë, në një vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli, akuzoi socialistët se nuk zënë dot në gojë emrin e Delijorgjit, pasi janë ortakë me të.
Dokumenti që po botojmë dëshmon të kundërtën dhe implikon rëndë kryeministrin Berisha për lidhjet e tij me Delijorgjin, përmes njerëzve të tij që kanë biznese të përbashkëta me të.
Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur po ashtu se ortakët Delijorgji-Xhillari kanë qenë sponsorë të fortë të PD në zgjedhjet e fundit lokale, por financimi i tyre rezulton të jetë i padokumentuar duke ngritur dyshime të mëdha për abuzime me to.