Berisha dhe Sanader: Dhe Kosova e Bosnja do hyjnë në NATO
Flamuri shqiptar tashmë valëvitet dhe në selinë e NATO-s në Bruksel. Dje, në orën 09.45, me një ceremoni solemne ai u ngrit përkrah flamujve të 27 vendeve të tjera anëtare të Aleancës. Ceremonia e ngritjes së flamurit është shoqëruar nën tingujt e himnit kombëtar.
Duke mbajtur fjalën e rastit, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jaap De Hoop Scheffer, tha se Shqipëria dhe Kroacia tashmë do gëzojnë garancitë e mëdha të Sigurisë.
“Aderimi i Shqipërisë dhe Kroacisë ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Sigurisht, për këto dy anëtarë të rinj të NATO-s, për të gjithë rajonin dhe Aleancën në përgjithësi. Për Shqipërinë dhe Kroacinë, duke u bërë anëtarë të plotë i NATO-s, është shpërblimi më i madh për përgatitjet që janë bërë për shumë vite, është një tregues i qartë i vizionit të atyre që për vite të tëra e kanë parë të ardhmen e tyre te NATO. Të dy këto vende tani do të kenë vendin e tyre në tryezën tonë, ku bëhen vendime për të formësuar sigurinë tonë euroatlantike dhe të dy këto vende tani mund të gëzojnë edhe garancitë më të mëdha të sigurisë që rrjedhin nga Traktati i Uashingtonit”, - u shpreh Scheffer.
Ajo çka është e rëndësishme, është se Scheffer deklaroi se rruga për në NATO është e hapur dhe për vende të tjera.
“Hyrja në NATO e Shqipërisë dhe Kroacisë përbën një shembull inkurajues për të gjithë vendet që ndjekin të njëjtin objektiv dhe bëjnë të njëjtin udhëtim”, - tha Scheffer.
Më pas dy kryeministrat, ai i Shqipërisë, Sali Berisha, dhe i Kroacisë, Ivo Sanader, kanë deklaruar se do mbështesin anëtarësimin e Bosnjës dhe të Kosovës në Aleancë.
“Anëtarësimi i dy vendeve tona sot është një ogur shumë i mbarë për Bosnjën, Kosovën, Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin. Ne do të jemi avokatët më të mirë të tyre, sikundër do t’i japim çdo ndihmë të mundshme që procesi i integrimit të tyre drejt NATO-s të eci me hapat e merituara”, - tha kryeministri, Sali Berisha.
“Bosnjë-Hercegovina ka të drejtë gjithashtu për një të ardhme atlantike. Po kështu, edhe Kosova që Kroacia e mbështet plotësisht”, - theksoi homologu kroat, Sanader.
Berisha, i emocionuar gjatë ceremonisë, theksoi sërish se kjo është ngjarja më e rëndësishme e shqiptarëve që pas shpalljes së pavarësisë. Ai tha se për këtë ditë shqiptarët luftonin që prej kohës së Skënderbeut.
“Unë jam sot këtu në këtë ceremoni solemne për të marrë pjesë dhe për të përshëndetur ngritjen e flamurit tim kombëtar. Këtu, në selinë e NATO-s, krahas flamujve më krenarë të vendeve më të fuqishme dhe të lira të Aleancës. Për këtë flamur dhe për kombin që ai përfaqëson, kjo është dita e lavdisë sime të madhe pas ngritjes së tij ditën e pavarësisë së Shqipërisë. Flamuri kombëtar është një ndër flamujt shtetërorë më të vjetër në Evropë. Ai që nga koha e Skënderbeut, prijësit legjendar të shqiptarëve, pra, nga mesi i viteve 1400 deri ditët e sotme, i ka prirë shqiptarët në të gjitha përpjekjet e tyre për liri dhe ekzistencë”, - tha Berisha.
Kryeministri shqiptar ka deklaruar se tashmë vendi është më i sigurt dhe investimet e huaja do të rriten, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin. “Gjatë viteve që shkuan, teksa sodisja vendin tim të varfëruar në ekstrem nga diktatura, natyrisht, çdo minutë, çdo orë dhe çdo ditë të punë sime mendoja për investime, investime dhe investime, për të mbushur atë boshllëk të tmerrshëm që kishte lënë diktatura. Por, tek shihja konfliktet përreth, luftërat, spastrimet etnike, të gjitha këto qëndronin si shpatë e Demokleut mbi investitorët dhe investimet e huaj, për të ardhmen në Shqipëri”, - tha Berisha.