Fitimet e jofitimprurësve
Në skandalin e shkatërrimit të shtëpive në Jalë, ndër shkeljet dhe parregullsitë e shumta të evidentuara, Banka Botërore veçoi edhe mungesën e dëgjesave dhe konsultimit me banorët e zonës, çka ishte një nga kushtet themelore të zbatimit të Projektit të Menaxhimit të Integruar dhe pastrimit të bregdetit shqiptar. Jehona e këtij zbulimi të bërë nga revista “Mapo” kaloi kufijtë e vendit për t’u pasqyruar në medien botërore, ku togfjalësha që i referoheshin strukturave të larta të institucioneve ndërkombëtare apo krerëve të qeverisë shqiptare spikatën mes rreshtave të publikuara. Megjithatë, askush apo pakkush do të mendonte se një rol në skandal kishte luajtur edhe një organizatë jofitimprurëse. “Mapo” ka zbuluar se detyra e konsultimit dhe dëgjesave me banorët dhe aktorët e tjerë të interesit i ishte besuar një OJF shqiptare, Institutit për Studime Bashkëkohore (ISB), i cili bazuar në publikimet e Bankës mbi skandalin, rezulton të ketë dështuar në këtë detyrë. ISB, i themeluar në vitin 1997, duhet të kishte luajtur një rol të rëndësishëm në projektin e Bankës Botërore që drejtohej nga dhëndri i kryeministrit, z. Jamarbër Malltezi, angazhimi i të cilit në këtë program u kritikua më vonë nga vetë BB, si person me konflikt interesi.
Vetë instituti kishte marrë përsipër, ndër të tjera detyra, lehtësimin e dialogut për të përfituar informacion nga aktorët e interesit për të kontribuar më pas në formulimin e konsensusit mbi hartimin e politikave, si dhe lehtësimin e dëgjesave publike mbi planin paraprak të asaj çka do të ndodhte më vonë. Mbi këto detyra të ISB, Banka Botërore është shprehur sakaq në raportet dhe deklaratat e saj mbi skandalin e Jalës. Instituti ka në fakt një CV shumë dinamike, veçanërisht në kohët e fundit. Nga 56 projekte që ISB ka përfituar që nga viti 1998, 36 prej tyre shtrihen në periudhën nga 2005 e më vonë.
Por ISB nuk është i vetmi rast OJF që janë të lidhura me ministra apo politikanë. Një rast i kohëve të fundit, i vërtetuar plotësisht nga deklarata format video, është ai i Institutit Shqiptar të Studimeve Sociale dhe Psikologjike, me themelues ish-ministrin, z. Ylli Pango, i cili, i filmuar nga kamerat e “Fiks Fare”, deklaroi se institutin “e drejton mbesa e tij me dokumente”. Prokuroria e Përgjithshme përveç hetimit për skandalin seksual ndaj ish-ministrit të Kulturës, Turizmit Rinisë dhe Sporteve, ka filluar verifikimin edhe në lidhje me drejtimin dhe të ardhurat që siguroheshin nga “Instituti Shqiptar i Studimeve Sociale dhe Psikologjike”. Fakt ky, bërë i ditur publikisht. Hetuesit dyshojnë se duke shfrytëzuar postin e ministrit, Pango ka përfituar nga ministritë e ndryshme në vend e donatorë të huaj, fonde të larta për projektet që organizata e tij ka përgatitur në konflikt të pastër interesi me detyrën e tij.
Këto OJF nuk përbëjnë rastin e vetëm të marrëdhënieve të errëta shoqëri civile-pushtet politik. Nga arkivat e gjykatës rezulton se çdo ministër drejtësie në vitet e fundit ka pasur një OJF të tijën, para se të merrte postin, siç është rasti i Ilir Rusmalit dhe Enkelejd Alibeajt. Ndërkohë, ministra e deputetë të tjerë rezultojnë themelues OJF, disa prej të cilave aktualisht kanë angazhim aktiv në shoqërinë civile përmes përfitimit të donacioneve e projekteve të ndryshme.
Përndjekja fiskale e OJF
E ndërsa streha më e rehatshme e politikës në kohë opozite apo letargjie rezulton pikërisht shoqëria civile, masat e marra gjatë viteve 2008-’09 nga politika kanë qenë të një natyre shtypëse. Vendimet e panatyrshme të politikës për të trajtuar sektorin jofitimprurës shprehen edhe në ligjin për “Për organizatat jofitimprurëse”, në të cilin ende sot OJF trajtohen si biznes i zakonshëm. Madje, duke iu referuar ligjit “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, organizatat jofitimprurëse trajtohen si biznes i madh, përderisa janë subjekt i TVSH. TVSH zbatohet, jo vetëm mbi produktet dhe shërbimet që ato mund të ofrojnë, por dhe mbi vetë grantet që përfitohen, çka është absurde, jo vetëm në kuptimin e funksionit dhe termit “organizatë jofitimprurëse”, por edhe në kuptimin strikt ekonomik, sepse nuk mund të vendoset TVSH mbi diçka që nuk është mall ose shërbim, siç është rasti i granteve. Një praktikë kjo krejt unike për nga natyra e saj në mbarë Kontinentin Evropian, ku qeveritë dhe politika ndërmarrin masa lehtësuese për shoqërinë civile, si rregullatore e jetës sociale të një vendi. Gjithashtu, në legjislacionin shqiptar, bizneseve që kryejnë donacione në favor të shoqërisë civile, nuk i njihet shuma përkatëse si shpenzim i patatueshëm. Kjo e bën praktikisht të pamundur financimin e shoqërisë civile shqiptare nga biznesi vendas, çka automatikisht lejon një varësi thuajse absolute nga fondet që vijnë nga jashtë vendit. Bëjnë përjashtim këtu ndoshta vetëm OJF e politikanëve, të cilat sigurojnë të ardhura të bollshme, jo vetëm nga donatorët e huaj, por dhe nga buxheti i shtetit, shpeshherë përmes projekteve dhe financimeve të përgatitura enkas për to.
Ndonëse ekzekutimi i TVSH mbi organizatat jofitimprurëse është pezulluar përkohësisht përmes një urdhri të natyrës administrative, sërish ligji mund të zbatohet në çdo moment, duke qenë se dokumente të tilla nuk mund të dalin mbi fuqinë e ligjit. Kjo çështje është një shpatë Demokleu mbi shoqërinë civile shqiptare.
Shoqëria civile shqiptare funksionon në varësi gati të plotë nga donacionet (grantet), që donatorët ndërkombëtarë japin për këtë sektor. Mbijetesa e këtij sektori me rëndësi vendimtare për funksionimin e demokracisë së një vendi cenohet ndjeshëm në masën 20%, çka përkon me vlerën e TVSH. Për më tepër, ekziston edhe një rrezik, sidomos për sa i përket financimeve në nivel rajonal, të cilat, duke qenë se në Shqipëri një pjesë e konsiderueshme nuk zbatohet në projekte të ndryshme, por i shkon buxhetit të shtetit, atëherë disa donatorë mund ta shohin të arsyeshme që paratë e tyre t’i orientojnë drejt vendeve të tjera, ku nuk zbatohen masa të ngjashme absurde. Vlen të theksohet se këto masa nuk janë kundërshtuar hapur, madje në disa raste janë kaluar në heshtje edhe nga vetë aktorë të opozitës, çka edhe nëse nuk mund të quhet bashkëpunim, është të paktën mosveprim për të parandaluar një rrezik që i kanoset jetës politike dhe sociale të vendit.
Denatyrizimi i shoqërisë civile
Por si do të shpjegohej kjo goditje me pasoja që mund të bëhen edhe fatale për shoqërinë civile shqiptare, kur vetë rrënjët e një pjese të politikës nisin bash aty apo anasjelltas? E vërteta është se OJF e ministrave - përjashto rastet kur këta të fundit rrokullisen kokëposhtë piramidës së pushtetit - nuk vuajnë pasojat e krizave ligjore, krizave administrative apo edhe vetë krizave ekonomike. Ato janë imune nga këto zhvillime, për sa kohë gëzojnë mbështetjen e detyruar të taksapaguesve shqiptarë përmes buxhetit të shtetit apo falë presionit indirekt, shtetëror që u bëhet disa donatorëve të tjerë për të mbështetur “organizatat e duhura”. Në këtë kuptim, në një kohë që shoqëria civile do të vuante dhe do të dobësohej nga masa të tilla, “shoqëria civile politike” do të fitonte një rol gati monopol, jo thjesht në tregun e donacioneve, por mbi të gjitha, në tregun e ideve. Roli dhe zëri opozitar apo edhe thjesht alternativ i shoqërisë civile shqiptare do të eklipsohej nga harmonizimi i raportimeve të institucioneve politike me ato të organizatave jofitimprurëse politike.
Në këtë mënyrë denatyrohet shoqëria civile shqiptare dhe konteksti i saj publik, përderisa përgënjeshtrimi apo informacioni alternativ nga raportimi zyrtar do të jetë thjesht një lojë me dy porta mes pozitës dhe opozitës, përfshi këtu edhe satelitët e tyre të shoqërisë civile në pronësi ministrash. Në këtë pikë përgjegjësia nuk është thjesht e politikës. Ajo shkon përtej dyerve të institucioneve formale, duke rënduar mbi donatorët, si dhe mbi opinionin publik dhe të gjithë ata aktorë të zëshëm.